Historia e veçantë e 70 vjeçarit që ka ndërtuar vetë teleferikun

Prishtinë | 02 Tet 2021 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Ish-inxhinieri i pyjores Thoma Loli disa vite para se të dilte në pension vendosi të punojë tokën pasi paga që merret ishte e pamjaftueshme.

Për të shkuar sa më shpejt tek toka e tij në fshatin Kabash të Pogradecit ndërtoi këtë mjet primitiv.

Vendosëm ta shoqëronim për tek toka e tij.

Ky është një teleferik I improvizuar që na çon drejt fidanishtes të xhaxha Thomait. Është një eksperiencë shumë e bukur e rrezikshme që jo të gjithë e kanë guximin.

“E rrezikshme për mua nuk është vetëm po u shkëput energjia. Ngelesh varur dhe kaq. Të biesh s’ka mundësi se kavo është e sigurt, mban një peshë prej 2 kunjtal”, ka thënë ai.

Ndoshta duhet të kishim hipur me këmbën e djathtë pasi për disa minuta energjia u ndërpre. Mbetëm në ajër.

Është hera e parë apo ka ndodhur dhe herë tjetër?

Për energjinë ka ndodhur kur rënë siguresa dhe ngelesh.

Në ndihmë na erdhi një elektricist që ngiti siguresën dhe vazhduam rrugë.

Një gjatësi prej 170 metra dhe është dashur gati 9 minuta për të mbërritur në fidanishte.

Mbërritëm tek toka e Thomait.

“Në vitin 1996 i thashë vetës Maqo ose Thoma siç më thonë merru me diçka tjetër se rroga e shtetit s’të del. Mu rritën fëmijët se kam tre dhe duheshin shkolluar. Gjithë jetën në ndërmarrjen pyjore e kam kaluar nëpër fidanishte dhe pyllëzime. Më lindi ideja, prej nevojës. Është vend I vështirë po më inkurajuan dhe disa austriakë. Fillimisht e nisa me drurë dekorativë dhe më pas me pisha për Krishtlindje”, ka thënë Thomai.

Këtë sipërmarrje e nisi me lekë borxh.

“Mora 1 milionë lekë borxh, për një vit i shleva. Demokracia ka sfida të mëdha puna deri në një kohë më eci puna, tani ka rënë se janë hapur shumë fidanishte. Ka rënë puna ime”.

Tokën e shfrytëzoi për mbjellë edhe pemë frutore.

“Në fund të çdo tarrace kam mbjelle fruta. Tërë llojet e kumbullave, dardhave, mollëve, qershive, pjeshkëve e të tjera. Në mes të tarracave kisha drurë dekorativë tani kam pak. Pak nga pak fito, hidh këtu fito, hidh këtu dhe fëmijët i shkollova kaq është kapitali im”, shprehet ndër të tjera ai.

Është terren i vështirë si e ja bëni për transportin?

“Kam bërë dhe një teleferik tjetër me korrent për fidanët. Më pas bëra e këtë tjetrin për vetën time”.

Për ndërtimin e teleferikun e ndihmuan dhe miq të tij.

“U bë nga dy vetë. Një mekanik dhe një elektricist. U deshën 15 ditë për tu bërë dhe për 2 ditë u vu në punë. Vetëm gjermanët si kthehen punës për së dyti. Blemë kavo në Elbasan e mata me litar gjatësinë, ishte 160 metra po nuk na doli ju ktheva punës për herë të dytë mora prapë kavo. Bëra një shtesë. Rruga bëhet 9 deri 10 minuta, nëse e bëja me këmbë është 15 minuta. Po më ndihmon për peshat. Është shumë funksional për mua”, bën me dije Thomai.

70 vjeçari flet dhe për vështirësitë e udhëtimit drejt zonës.

“Incidente nuk kam pasur. Vetëm kur ikën korrenti, e ne e provuam. Elektricisti thotë se mund ta bëj me bateri”.

Të ngjashme