Michael Yeadon (shkurt Majk) ishte një studiues shkencor dhe zv.president në gjigantin farmaceutik “Pfizer Inc”. Ai bashkë-themeloi një kompani farmaceutike, e pastaj karriera e tij mori një kthesë të papritur.
Në fund të vitit të kaluar, shkencëtari britanik bashkë me të tjerë nisi një peticion për rregullatorin e ilaçeve të Evropës. Kërkesa ishte e guximshme: “Ndalni provat klinike të vaksinës kundër COVID-19.”
Argumenti i tyre ishte edhe më i guximshëm. Sipas “Reuters” ata spekuluan, pa siguruar prova, se vaksinat mund të shkaktonin infertilitet tek gratë.
Dokumenti u shfaq në një faqe interneti gjermane më 1 dhjetor. Por shkencëtarët e tjerë e kundërshtuan teorinë e tyre. Rregullatorët gjithashtu nuk u lëkundën pasi disa javë më vonë, Agjencia Evropiane e Barnave miratoi vaksinën e parë në Bashkimin Evropian kundër COVID-19, atë të kompanisë “Pfizer” dhe “BionTech”. Por dëmi ishte bërë tashmë.
Mediat sociale përhapën shpejt pretendime të ekzagjeruara se vaksinat kundër COVID-19 shkaktojnë infertilitet tek gratë. Brenda disa javësh, mjekët dhe infermierët në Britani filluan të raportonin se gratë e shqetësuara po i pyesnin nëse kjo ishte e vërtetë, sipas Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve. Në janar, një sondazh nga Fondacioni Kaiser Family (KFF), një organizatë jofitimprurëse, zbuloi se 13% e njerëzve të pavaksinuar në Shtetet e Bashkuara kishin dëgjuar se “vaksinat kundër COVID-19 janë treguar se shkaktojnë infertilitet”.
Ajo që i dha besueshmëri pretendimit ishte se një nga bashkë-autorët e peticionit, Michael Yeadon, nuk ishte ndonjë shkencëtar çfarëdo. 60-vjeçari është një nga ish-zv.presidentët e “Pfizer”-it, ku ai kaloi 16 vjet si një studiues i alergjive dhe problemeve të frymëmarrjes. Ai më vonë bashkë-themeloi një firmë bioteknike që prodhuesi i barnave zvicerane “Novartis” do ta blinte për të paktën 325 milionë dollarë.
Në muajt e fundit, Yeadon është shfaqur si një hero i njerëzve që kundërshtojnë vaksinat, adhuruesit e të cilit vënë në dyshim sigurinë e shumë vaksinave, përfshirë atë kundër koronavirusit. Lëvizja anti-vaksinave ka amplifikuar pikëpamjet skeptike të Yeadon rreth vaksinave dhe testeve kundër COVID-19, bllokimet e vendosura nga qeveritë dhe kurbën e pandemisë.
Yeadon ka thënë se ai personalisht nuk kundërshton përdorimin e të gjitha vaksinave. Por shumë ekspertë shëndetësorë dhe zyrtarë të qeverisë shqetësohen se mendimet e tij hezituese ndaj vaksinës, bashkë me ngurrimin ose refuzimin e qytetarëve për t’u vaksinuar – mund të zgjatin pandeminë. COVID-19 tashmë ka vrarë më shumë se 2.6 milionë njerëz në të gjithë botën.
“Këto pretendime janë false, të rrezikshme dhe thellësisht të papërgjegjshme.”– tha një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social të Britanisë, kur u pyet për pikëpamjet e Yeadon.
“Vaksinat kundër COVID-19 janë mënyra më e mirë për të mbrojtur njerëzit nga koronavirusi dhe do të shpëtojnë mijëra jetë.”
Raportet e fundit të mpiksjes së gjakut dhe gjakderdhjes jonormale tek një numër i vogël i marrësve të vaksinës kundër COVID-19 të AstraZenecës, kanë hedhur dyshime mbi sigurinë e kësaj vaksine, duke bërë që disa vende evropiane të ndërpresin përdorimin e saj. Zhvillimet ka të ngjarë të ushqejnë më tej hezitimin ndaj vaksinave, megjithëse nuk ka prova të një lidhjeje shkak-pasojë midis produktit të AstraZenecës dhe simptomave të pacientëve të vaksinuar.
Shkencëtari Yeadon nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë artikull. Në raportimin e kësaj historie, Reuters shqyrtoi mijëra postime të tij gjatë dy viteve të fundit, së bashku me shkrime dhe deklarata të tjera. Po ashtu gazetarët e Reuters intervistuan pesë persona që e njohin atë, katër prej të cilëve janë ish-kolegë të tij në “Pfizer”.
Një zëdhënës i “Pfizer”-it nuk pranoi të komentonte mbi Yeadon dhe qëndrimin e tij ndaj kompanisë.
Referencat për peticionin e Yeadon shfaqen në faqen e internetit të një grupi të themeluar nga skeptiku i vaksinave Robert F. Kennedy Jr, nga një prej dinastive politike amerikane, i cili kohët e fundit u ndalua në Instagram për shkak të postimeve të tij mbi vaksinat kundër COVID-19.
Shkrimtarja dhe skeptikja e vaksinave, Michelle Malkin raportoi shqetësimin e Yeadon-it mbi pjellorinë në një kolonë muajin e kaluar me titullin: “Gra shtatzëna: Kini kujdes nga vaksinat kundër COVID-it”. Ajo bëri dhe një blog me një titull alarmues: “Shefi i Kërkimit të Pfizer-it: Vaksina kundër Covidit sjell infertilitet tek femrat”, një shkrim që u shpërnda me mijëra herë në Facebook.
Pikëpamjet e Yeadon, mund të shihen në mediat sociale në gjuhë të ndryshme: gjermanisht, portugalisht, gjuhën çeke, etj.
Një postim në Facebook i muajt nëntor, mbart një video në të cilën Yeadon pohoi se pandemia “rrënjësisht … ka mbaruar”. Postimi është parë më shumë se një milion herë.
Në tetor, Yeadon kishte shkruar një kolonë për tabloidin britanik “Daily Mail”, një nga faqet e lajmeve më të vizituara në botë. Ai deklaron në këtë shkrim se vdekjet e shkaktuara nga COVID-19, që në Britani kishin arritur në rreth 45 mijë, së shpejti do të “bien” dhe britanikët “duhet të lejohen menjëherë të rifillojnë jetën normale”. Që nga ajo kohë, sëmundja ka vrarë rreth 80 mijë njerëz të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar.
Yeadon nuk është i vetmi shkencëtar i respektuar që ka sfiduar konsensusin shkencor për COVID-19 dhe ka shprehur pikëpamje të diskutueshme.
Michael Levitt, një fitues i “Çmimit Nobel” në kimi, tha verën e kaluar se ai priste që pandemia të mbaronte në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020 dhe të vriste jo më shumë se 175 mijë amerikanë – një e treta e totalit aktual. Ai shprehej: “kur ne të shohim prapa, do të themi se nuk ishte një sëmundje aq e tmerrshme.”
Dhe Luc Montagnier, një tjetër fitues i “Çmimit Nobel”, tha vitin e kaluar se ai besonte se koronavirusi ishte krijuar në një laborator kinez. Shumë ekspertë e dyshojnë në këtë, por deri më tani nuk ka asnjë mënyrë për ta provuar e as hedhur poshtë atë.
Levitt i tha “Reuters” se parashikimet e tij rreth pandemisë në Shtetet e Bashkuara ishin të gabuara, por ai ende beson se COVID-19 në fund nuk do të shihet si “një sëmundje e tmerrshme” dhe se bllokimet “shkaktuan një dëm të madh kolateral dhe mund të mos kenë qenë të nevojshme.” Montagnier nga ana tjetër nuk iu përgjigj kërkesës për të bërë një koment.
Ajo që i jep Yeadon-it kredibilitet të veçantë është fakti që ai ka punuar për kompaninë “Pfizer”, thotë Imran Ahmed, shefi ekzekutiv i Qendrës për Luftimin e Urrejtjes Dixhitale, një organizatë që lufton dezinformatat në internet. “Sfondi i Yeadon u jep mesazheve të tij të rrezikshme dhe të dëmshme një besueshmëri të rreme.”– shprehet ai.
Në një debat vjeshtën e kaluar në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik rreth reagimit të qeverisë ndaj pandemisë, parlamentari Richard Drax e quajti Yeadon një shkencëtar “të shquar” dhe citoi pikëpamjen e tij “se virusi është i kontrollueshëm dhe po i afrohet fundit”. Drax nuk iu përgjigj një kërkese të “Reuters” për koment.
Kohët e fundit David Kurten, një anëtar i Asamblesë së Londrës shkroi në “Twitter” se ekziston një “rrezik i vërtetë” që vaksinat COVID-19 mund t’i lënë gratë jopjellore. Ai shkruante se “kura” nuk duhet të jetë më e keqe se “sëmundja“. As ai nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Pse Yeadon u shndërrua nga shkencëtar i zakonshëm në skeptik të vaksinave kundër COVID-19 mbetet një mister. Mijëra postime të tij përgjatë këtyre muajve ofrojnë disa të dhëna për të shpjeguar qëndrimin e tij radikal.
Disa ish-kolegë të Pfizer-it thonë se nuk e njohin më “Majkun që njihnin dikur”. Ata e përshkruanin atë si një njeri të ditur dhe inteligjent, i cili gjithmonë këmbëngulte për të parë provat dhe në përgjithësi e shmangte publicitetin.
Një nga ata ish-kolegë është Sterghios A. Moschos, i cili ka një diplomë në biologjinë molekulare dhe farmaceutikë. Në dhjetor, Yeadon bëri një postim ku u kërkonte njerëzve të braktisnin maskat. Moschos reagoi në Twitter: “Çfarë dreqin Majk?! A ke dalë për të vrarë njerëzit në mënyrë aktive? Ti e kupton se nëse gabon, sugjerimet e tua do të rezultojnë me vdekje?”.