Historiku kriminal i të dyshuarit për rastin e Zhurit

Prishtinë | 29 Jan 2020 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

I dyshuari Iran Badalli, i cili është arrestuar për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm në rastin në Zhur ku ka mbetur i vdekur një polic e dy të tjerë janë plagosur, ka pasur përballje të shumta me drejtësinë.

“Koha Ditore” ka pasur qasje në historikun e tij kriminal. Ka disa aktakuza aktive. Është i dënuar për vjedhje të rëndë. Është po ashtu i njohur për institucionet e drejtësisë edhe për faktin se familjarët e kanë denoncuar disa herë për dhunë në familje.

Para 6 muajsh një familjare e Badallit ka kërkuar urdhër mbrojtje nga Gjykata karshi Badallit.

“Urdhër mbrojtje për palën e mbrojtur e lëshuar me datën 05.08.2019”, është një nga evidencat e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Badalli ka aktakuzë për vepra penale që lidhen me dhunë në familje.

“Dhuna në familje e pranuar më datë 03.09.2019- lënda është aktive. Shqyrtimi i dytë (v.j në procesin gjyqësor) është mbajtur me 15.01.202, seanca e radhës është caktuar të mbahet me 12.02. 2020”, thuhet në të dhënat e gjykatës.

Badalli ka tri raste për veprën e njëjtë – vjedhje e shërbimeve komunale.

“Vjedhje e shërbimeve komunale e pranuar me datë 13.08.2019 – lënda është aktive; Vjedhja e shërbimeve komunale e pranuar me datë 26.11.2019 – lënda është aktive; Vjedhje e shërbimeve komunale e pranuar me datë 11.12.2019 – lënda është aktive”, thuhet në të dhënat e gjykatës për të kaluar kriminale të Badallit.

Ai ngarkohet edhe për vjedhje të pyllit.

“Vjedhje e pyllit e pranuar me datë 27.11.2019 – lënda është aktive”, thuhet në këto të dhëna.

Badalli e ka një lëndë aktive për vjedhje.

“Vjedhje e rëndë e pranuar me datë 23.08.2018 – lënda është aktive”.

Për të njëjtën vepër është dënuar. Aktgjykimi dënues i është shqiptuar me gjobë dhe para.

“Vjedhje në bashkëkryerje e pranuar me datë 21.10.2013 – dënim me burgim 6 (gjashtë) muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 300 euro”, thuhet në këto të dhëna.

Vetëm në një rast deri tani ai është shpallur i pafajshëm.

“Kanosje e pranuar me datë 14.05.2018 – hudhet aktakuza”, thuhet në evidencën për historikun penal të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Të ngjashme