Historitë e ndritshme kosovare: Shtëpitë shkolla

Prishtinë | 26 Jan 2019 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Populli i Kosovës ka kaluar nëpër shumë sfida të rënda, deri në shpalljen e Pavarësisë së shtetit. Vitet e 90-ta edhe pse shumë të rënda mes luftës që bëhej për liri, prapë se prapë mbetet një histori e  lavdishme në mendjet tona.

Sakrifica e shumë të zotëve të shtëpive për t’i lëshuar ato, dhe t’i kthejnë në ambinete shkollore, është pjesa më rrënqethëse që na kujton se sa shumë ishim të etur për ditur e për liri, pavarësisht që serbët i kishin vënë çeslin shkollave në Kosovë.

Trysnia policore ndaj mësimdhënësve shqiptarë për të punuar me ligje dhe planprograme të Serbisë kishte filluar me nisjen e vitit shkollor 1990/91 me segregacionin në mësim, helmimin e nxënësve,  marrjen e mësimdhënësve dhe të veprimtarëve të arsimit në të ashtuquajtura biseda informative, rrahjeve, burgosjeve, vrasjeve,  vendosjes së masave të dhunëshme dhe ndërprerjes së financimit.

Prandaj, pushteti serb duke vërejtur se këto masa të dhunës nuk i gjunjëzuan mësimdhënësit shqiptarë, atëherë aplikoi masën ma drastike, largimin me dhunë të nxënësve,studentëve dhe të mësimdhënësve shqiptarë nga objektet shkollore, duke menduar se kjo masë do t’i gjunjëzojë, po nuk ndodhi!

Janë mijëra familjarë anë e kënd Kosovës, të cilët gjatë viteve 1992- 1999 lejuan shtëpitë e tyre për zhvillimin e mësimit shqip. Nxënësit dhe studentët shqiptarë, afro 400 mijë nuk shkuan në shkollë deri në janar 1992.

Mbi 100 mijë nxënës e studentë u vendosën në mënyrë permanente në 3,200 shtëpi, bodrume dhe garazha private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara.

Semestri i parë u përdor për të negociuar hapësira mësimore brenda shkollave publike, si dhe për të gjetur shtëpi private që mund të strehonin nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët universitarë shumica e të cilëve ishin dëbuar nga objektet shkollore./gazetametro.net

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme