Komandanti i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, Ben Hodges, pas një vizite që ka zhvilluar në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka shprehur besimin se FSK është e gatshme të transformohet në ushtri dhe se vetëm pritet vendimi politik.
Gjenerallejtënant Ben Hodges fillimisht është pritur në takim nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ç’rast është njoftuar për të arriturat e kësaj force, si dhe përgatitjet për transformimin në Forca të armatosura të Kosovës (FAK).
Hodges ka shprehur mbështetjen për FSK-në dhe vizionin e saj, duke ofruar përkrahje për nevojat më specifike në rrugën e zhvillimit dhe profesionalizimit të mëtejshëm.
Për gjeneralin Hodges dhe delegacionin amerikan në Ministrinë e FSK-së, nënkolonel Agron Bajrami prezantoi temën “FSK-ja dhe procesi i transformimit të saj”, kurse kolonel Ilir Qeriqi informoi për bashkëpunimin ndërkombëtare me vendet tjera dhe partneritetin e ndërtuar deri më tani.
Pas vizitës në MFSK, Rama e Hodges kanë qëndruar edhe në kazermën “Adem Jashari” gjegjësisht në Qendrën e Studimeve Universitare të FSK-së, ku u pritën nga komandanti i QSU-së, major Avni Kiçina.
Hodges para kadetëve të FSK-së mbajti një ligjëratë dhe bashkëbisedoi me kadetët.
Ai ka lavdëruar punën e FSK-së dhe udhëheqjen e saj, duke thënë se të rinjtë në FSK edhe pse kanë pasur mundësinë për zgjedhje të ndryshme në jetë, ata kanë zgjedhur që t’i shërbejnë vendit për një të ardhme më të ndritur.
Veç tjerash, ai tha se talentin që ka parë te këta pjesëtarë, ka bërë që ai të jetë optimist për Kosovën, duke theksuar që FSK-ja do jetë ajo që do ta zhvillojë shtetin e Kosovës.
Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropë, në një konferencë për media pas takimeve, ka thënë se kadetët të cilët i ka takuar janë e ardhmja e Kosovës.
“Dua që të shikoni prapa meje. Kjo është e ardhmja e Kosovës. Këta djem dhe vajza të jashtëzakonshëm këtu të cilët edhe pse kanë pasur zgjedhje të tjera kanë dalë vullnetarë për të kontribuar për vendin e tyre. Në SHBA ushtria ka pasur impaktin më të madh për të bashkuar njerëzit. Po ashtu mendoj që nën udhëheqjen e gjeneral Ramës, dhe këtë kapacitet që keni këtu, FSK-ja do të zhvillojë Kosovën”, tah Hodges.
“Çfarë unë kam parë nga ushtarët e FSK-së është impresive. Dje në Shqipëri në ushtrimet që i kemi bërë së bashku, kam parë ushtarë të rinj që janë të përgatitur dhe të motivuar. Mendoj që tashmë keni bërë disa aktivitete shpëtuese në Shqipëri, andaj tashmë ju keni marrë një vendim për transformimin, ta mbështes edhe Parlamenti. Kur të jetë koha, gjeneral Rama tashmë e ka bërë punën e tij dhe kur të merret vendimi politik, FSK-ja do të jetë gati. Dua të inkurajoj që ju në Kosovë të shfrytëzoni secilën mundësi që të shkolloheni udhëheqësit e së ardhmes sikur këta kadetë këtu”, ka theksuar gjenerali amerikan, Hodges.
Hodges dhe Rama, së bashku me delegacionet, kanë vizituar Regjimentin e Mbrojtjes Civile në Pomozotin, ku nga komandanti i saj, kolonel Shaip Haziri, janë njoftuar me misionin detyrat dhe kapacitetet operacionale të njësive të specializuara të Regjimentit të Mbrojtjes Civile si dhe rreth përgatitjeve për përurimin e Qendrës së Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të Regjimentit të Mbrojtjes Civile, e cila do të zyrtarizohet nesër.
Në stacionin e Kërkim–Shpëtimit urban, vetë gjenerali Hodges mori rolin e një të aksidentuari, siç tha edhe vetë ai, për të provuar aftësitë dhe pajisjet e FSK-së.
“Unë i provova vetë aftësitë dhe pajisjet tuaja duke pasur besim në aftësitë tuaja, pajisjet dhe profesionalizmit tuaj”, u shpreh ai.