Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, priti në takim Ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal Adrijana Hodžić dhe bashkëpunëtorët e saj.
Fillimisht, kryetari Berisha i uroi mirëseardhje ministres Hodžić dhe e informoi atë për zhvillimet e përgjithshme në Komunën e Fushë-Kosovës.
“Përkundër rezultateve që kemi arritur kemi edhe shumë për të bërë sepse na përcjellin edhe disa probleme që po presin të marrin zgjidhje, siç janë shëndetësia dhe arsimi. Situata e sigurisë në këtë komunë është jashtëzakonisht e mirë dhe nuk kemi as vrasje e as incidente të mëdha. Me MAPL-në kemi pasur një bashkëpunim konkret andaj shpresoj se edhe tani do të vazhdojmë në komunikim dhe shkëmbim të përvojave dhe të informatave”, tha në mes të tjerash kryetari Berisha.
Nga ana e saj minstrja Hodžić falënderoi kryetarin Berisha për pritjen që iu bë dhe tha se “kam ardhur me gjithë këshilltarët dhe stafin tim për tu informuar dhe për t’ju inkurajuar edhe më shumë për punën që po bëni si Komunë, në veçanti për punën në zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve që janë në fuqi. Ne kemi bërë një analizë para se të vijmë këtu për t’ju takuar dhe jemi mjaft të kënaqur me të arriturat tuaja, duke përfshirë edhe qasjen që keni treguar ndaj komuniteteve të tjera që jetojnë në këtë komunë.
Në fund të takimit të dy bashkëbiseduesit u zotuan se bashkëpunimi dhe kontaktet do të jenë pjesë e përhershme në fokus të realizimit të synimeve të përbashkëta.