Në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018” në shkurt të këtij viti, gjithë bota ishte duke shikuar flamurin olimpik duke iu dorëzuar delegatëve nga Kina: Pekini është nikoqir i Lojërave Dimërore të ardhshme më 2022.
Përgatitjet për Lojërat Dimërore të vitit 2022 kanë nisur tashmë, shkruan “South China Morning Post”, transmeton “Koha Ditore”. Arenat e reja dhe infrastruktura po ndërtohet në kryeqendër dhe sportet dimërore pritet të bëhen pikë qendrore për gjithë vendin.
Nga të gjitha sportet dimërore këtu, hokeji në akull gjithmonë ka qenë më i popullarizuari nga sportet për spektatorët. Sporti ekipor atraktiv është bërë një nga sportet më ‘cool’ për banorët e mileniumit të ri, veçanërisht ata “të privilegjuar”.
Përkrah sporteve si kalërimi, polo dhe golfi, hokeji në akull është një prej sporteve më të shtrenjta për t’u marrë.
Si një sport i kontaktit të plotë, lojtarëve u kërkohet të veshin pajisje mbrojtëse, si helmeta, mbrojtëse të gojës, mbrojtëse të shpatullës, të bërrylave, dorëza të hokejit dhe mbrojtëse të këmbëve. Pos kësaj, uniformat dhe pajisjet si fanellat, patinat dhe shkopinjtë e hokejit duhet të mirëmbahen. Të gjitha këto kërkojnë nga 400 deri në 1.000 euro në vit.
Në Kinë hokeji në akull ishte i popullarizuar vetëm në qytetet veriore si Harbin dhe Qiqihar të provincës Heilongjiang.
Në fillim të viteve 2000 kishte më pak se 200 lojtarë të rinj të hokejit të regjistruar në Pekin. Por që kur Kina u zgjodh për të organizuar Lojërat Dimërore të vitit 2022, në vitin 2015, sporti ka fituar në popullaritet në mesin e fëmijëve dhe të rriturve në Pekin.
“Ka tash disa mijëra të rinj që luajnë hokej në Pekin. Njerëzit mendojnë se hokeji në akull është ‘cool’ dhe ka një numër në rritje të njerëzve që po merren me sport”, ka deklaruar Thomas Wu, zëvendëspresidenti i Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në akull dhe presidenti i nderit i Federatës së Hong-Kongut të hokejit në akull.