Pas dorëheqjes së Ronald Koemanit nga posti i trajnerit të Holandës pas eliminimit në Kupën e Botës 2026, në Federatën Holandeze të Futbollit kanë nisur diskutimet për pasuesin e tij.
Mes emrave të përmendur ka dalë edhe një ide e bujshme: rikthimi i Louis van Gaalit për një mandat të katërt në krye të “Tulipanëve”.
Sipas raportimeve nga Holanda, emri i Van Gaalit është përmendur si një zgjidhje me përvojë për ta stabilizuar kombëtaren në një moment delikat, përcjell “Gazeta Express”.
Trajneri 74-vjeçar e ka drejtuar Holandën në tri periudha të ndryshme dhe konsiderohet si një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit holandez.
Megjithatë, një rikthim i tij nuk shihet si skenari më i mundshëm.
Gjithnjë sipas mediave holandeze, kandidati kryesor mbetet Arne Slot, me të cilin Federata Holandeze i ka zhvilluar tashmë kontaktet e para.
Van Gaal mbetet një figurë shumë e respektuar në Holandë dhe ideja e një mandati të katërt ka ngjallur debat në opinionin sportiv, por për momentin bëhet fjalë vetëm për një hipotezë, ndërsa Federata po i vazhdon kërkimet për trajnerin e ri të kombëtares.