Holanda ka regjistruar fitore bindëse (3-0) ndaj Maqedonisë së Veriut në ndeshjen e fundit të fazës grupore të ‘Euro 2020’ që u zhvillua në Johan Cruijff ArenA.
Në minutat e para të ndeshjes, Ivan Trickovski e futi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Më vonë, një goditje e fuqishme e Aleksandar Trajkovskit u ndal në shtyllën e portës kundërshtare.
Nuk zgjati shumë dhe rezultati u zhbllokua. Golin e vetëm në fraksionin e parë e shënoi Memphis Depay (24’), pas asistimit nga Donyell Malen.
Georginio Wijnaldum e dyfishoi epërsinë në gjysmën e dytë (51’) nga afërsia, pas një asistimi të Depay.
Edhe goli i tretë i Tulipanëve erdhi nga dyshja e përmendur. Portieri Stole Dimitrievski mbrojti goditjen e Memphis, por aty ishte Wijnaldum për ta futur topin në rrjetë (58’).
Në vazhdim Maqedonisë së Veriut iu anulua edhe një tjetër gol për shkak të pozitës jashtë loje të Darko Churlinov.
Theksojmë se Maqedonia e Veriut këtë edicion u kualifikua për herë të parë në një Kampionat Evropian, megjithëse nuk arriti ta fitonte asnjë ndeshje në fazën grupore.