Holanda e ka humbur nga SHBA-ja finalen e Botërorit 2019. Futbollistet e SHBA-së i kanë mposhtur ato të Holandës edhe më 27 nëntor në Breda. Humbja 2:0 ka brengosur drejtuesit e përfaqësueses holandeze.
Po në Breda, kampionia në fuqi e Evropës, Holanda, e luan edhe një ndeshje të martën. Nga ora 18:30 takohet me Kosovën në përmbyllje të eliminatoreve për “Euro 2022”. Pritet të jetë një ndeshje rutinore për Holandën, që vitin e ardhshëm e kërkon suksesin në pjesëmarrjen e parë në Lojërat Olimpike. Te Holanda presin shumë prej gjeneratës aktuale, që është e para në Evropë dhe e dyta në botë.
Në kualifikimet për “Euro 2022”, Holanda thuajse nuk është sfiduar asnjëherë. Vetëm Rusia i ka bërë ballë në një ndeshje. Të tjerat i ka fituar bindshëm. Ka fitore 8:0 e 7:0. Ndaj Kosovës ka fituar 6:0, më 27 tetor në Prishtinë.
Holandezet janë ankuar në mungesë të konkurrencës së denjë në grup. Ka pak gjasë që atë t’ia ofrojnë futbollistet e Kosovës në ndeshjen në Breda. Niveli i lojtareve të Holandës megjithatë është dukshëm më i lartë se ai i lojtareve të Kosovës, që kanë premtuar maksimumin. Ndërkohë te Holanda po mendojnë për Lojërat Olimpike.
“Ndeshja stërvitore me SHBA-në, që është e para në ranglistën e FIFA-s, ishte pak a shumë një sinjal fillestar për ekipin holandez për Lojërat Olimpike të verës së ardhshme. Kualifikimet për Evropian, që përmbyllen të martën me ndeshjen në shtëpi ndaj Kosovës, vështirë kanë ofruar ndonjë sfidë në muajt e fundit. Vetëm Rusia e fortë është afruar paksa. Përfaqësueset tjera në grup doli të jenë aq të dobëta sa Holanda asnjëherë nuk është testuar vërtet për nivelin”, ka shkruar faqja zyrtare e Federatës holandeze në raportin për ndeshjen me SHBA-në.
Holandezët janë treguar nikoqir shembullor për ekipin e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur FFK-ja. Në stadiumin ku luhet ndeshja janë vendosur shkrimet “Mirë se vini Kosovë”.
Te Kosova kanë premtuar maksimumin, por janë të vetëdijshëm që Holanda është nivel tjetër.
Holanda prin në grupin A me 27 pikë, pra ka fituar nëntë ndeshjet. Kosova është e katërta me 10 pikë nga nëntë ndeshje. Kosova do të lërë prapa Turqinë e Estoninë, ndaj të cilave i ka fituar 10 prej 12 pikëve të mundshme. Holanda, por edhe Rusia e Sllovenia, ende janë nivel i lartë për Kosovën, që po vazhdon me krijimin e ekipit.
Selektorja Afërdita Fazlija është e vetëdijshme se me ndeshje të forta, si kjo me Holandën, rritet niveli.
“Është një prej ndeshjeve më të vështira. Holanda është kualifikuar më herët dhe është favorite. Ne do të mundohemi të japim maksimumin. Do të provojmë të luajmë më të mbyllura, me sistemin 5-4-1. Është një mundësi e mirë për ne që të luajmë një ndeshje të fortë me Holandën, superfuqinë botërore”, ka theksuar Fazlija.
Asaj i mungojnë lojtare të rëndësishme. Por edhe me ekipin më të fortë të mundshëm, rezistimi ndaj Holandës do të ishte goxha i vështirë.