Përvjetori i Betejës së Koshares është shënuar me homazhe në kompleksin memorial, ku udhëheqës politikë dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kujtuar të rënët dhe rëndësinë historike të kësaj beteje, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i BDI-së, ish-komandant i UÇK-së, Ali Ahmeti, e cilësoi 9 prillin si një nga ditët më të rëndësishme në historinë kombëtare, duke theksuar sakrificën dhe rolin e luftëtarëve në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.
“Sot është një ditë e shënuar në historinë e kombit tonë. Përveç se është e larë me gjak, është ditë e shënuar sepse thyhet kufiri shqiptaro-shqiptar. Është ditë e shënuar sepse të gjithë këta luftëtarë të rënë këtu dhe të gjallë kanë qenë një fuqi që i ka dhënë forcë, moral, tërë brigadave që vepronin në rrafshin e Dukagjinit. Kanë qenë njerëz profesionistë, oficerë profesionistë, atdhetarë të mëdhenj, që me përkushtim përveç që kanë mbajtur vijën e frontit kanë pasë edhe përgjegjësinë morale e kombëtare për të furnizuar tërë brigadën dhe tërë formacionet ushtarake që vepronin në rrafsh të Dukagjinit, në Drenicë, e ma gjere në Kosovë deri në Shalë e në Ferizaj”, tha ai.
Ai shtoi se luftëtarët e Koshares dëshmuan përkushtimin ndaj atdheut dhe kontribuan që ushtria çlirimtare të dilte fitimtare bashkë me aleatët ndërkombëtarë.
“Kështu që, këta kanë dëshmuar se vërtet atdheun e duan, duan dhe deshën që ushtria jonë lavdimadhe të jetë fitimtare ashtu siç fitoi bashkë edhe me aleatët, NATO-n, u vënë në shërbim me të gjitha potencialet që kishte për informacione të NATO-s që sa më parë të shporret e dëbohet nga tokat tona ushtria pushtuese serbe. Unë kam edhe një ndjenjë këtu me bashkëluftëtarin tim, që të kujtojmë përveç atyre që i tha Ramushi, Agimit, Saliut e Xhemalit, dua të përkujtoj edhe një djalë të ri që ka rënë këtu nga Tetova, nga Poroji, sepse vërtetë ka qenë një sakrificë goxha e madhe që ai të rreshtohet me ushtrinë çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në Koshare nderohen dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e vendit.
“Pra jemi në Koshare e në memorialin ku pushojnë 100 e sa dëshmorë, heroj të atdheut, trima ku nderohet, pra dita e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar ku i kujtojmë me respekt të rënët për liri, komandantët, heronjtë Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahut e shumë të tjerë, po po ashtu i respektojmë edhe të gjallët, bashkëluftëtarët e të gjallë, komandantin Rrustem Berisha, komandantët Anton Çuni, Fadil Hadërgjonaj e të gjithë”, tha ai.
Ai theksoi se në këtë betejë morën pjesë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga popuj të tjerë, duke shtuar se mirënjohja u takon edhe aleatëve ndërkombëtarë.
“Këtu pushojnë luftëtarë të zotë nga të gjitha trevat e atdheut tonë, kombit tonë, por ka edhe prej popujve të tjerë që iu kanë bashku luftës tonë të drejtë. Nuk harrojmë asnjëherë me shprehë respektin për të gjithë që kanë dhënë për lirinë, pra familjet e dëshmorëve, martirët, familjet e martirëve, invalidët, bashkëluftëtarët e të gjallë, po po ashtu ju shprehim falënderim edhe NATO-s dhe Amerikës që u vunë në mbrojtje të popullit të Kosovës në atë kohë edhe ja sot gëzojmë lirinë”, tha ai.
Më 9 prill 1999, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke hapur rrugën për furnizim me armatim dhe mbështetje logjistike.
Kjo betejë, që zgjati deri më 10 qershor 1999, u zhvillua në kushte të vështira dhe me një vendosmëri të lartë të luftëtarëve shqiptarë, ku mbetën të vrarë 114 ushtarë.
Thyerja e kufirit në Koshare pati rëndësi të madhe strategjike dhe simbolike, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt çlirimit të Kosovës.