Në Prishtinë u mbajt konferenca për shtyp ku u diskutua për shpërblimin e filmit “HOME” me çmimin prestigjioz “BAFTA” në kategorinë e filmave të shkurtër. Në konferencë ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të filmit nga Kosova, përfshirë producentin Shpat Deda dhe regjisorin Daniel Mulloy, si dhe përfaqësues nga Forcat e Sigurimit të Kosovës, policisë së Kosovës dhe mbështetësve të tjerë.
Producenti Shpat Deda hapi konferencën duke prezantuar ekipin që qëndroi prapa produksionit të filmit, duke i falënderuar ata. “Suksesi vjen në formën e tij më të bukur kur ndahet me njerëz të tjerë, dhe në këtë rast ka aq shumë njerëz me të cilët po e ndajmë. Ky është bekim i vërtetë! HOME e ka bashkuar grupin më të talentuar të njerëzve të rinj me të cilët e kam pasur kënaqësinë të punoj, dhe shërben si një provë shtesë mbi potencialin i cili ekziston në Kosovë. Ne duhet të ndërtojmë më shumë ura në mënyrë që talenti Kosovar ta gjejë rrugën në qendrën e vëmendjes botërore sepse tanimë kemi mjaft suksese që na e dëshmojnë se kjo është e mundshme”, tha Deda.
HOME është i pari produksion kosovar i cili shpërblehet me BAFTA ndërsa filmi pati një sukses të madh nëpër botë pas publikimit në kinematë e Britanisë së Madhe, përfshirë triumfin në mbi 15 shpërblime në festivale botërore dhe nominimin në Akademinë Evropiane të Filmit.
Regjisori i filmit, Daniel Mulloy, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Kosovën për realizimin e këtij projekti.
“Kosova është vend i jashtëzakonshëm për të bërë filma. Njerëzit e ri kanë shumë talent dhe pasion dhe çdo gjë është e mundur këtu. Mbështetja nga Kosova e bëri këtë film dhe ishte jashtëzakonisht e fortë. Ne kemi bashkëpunuar me shumë institucione përfshirë me policinë dhe me Forcat e Sigurimit të Kosovës, të cilët i kanë sjellë shumë filmit përmes eksperiencës dhe pasionit të tyre. Filmi ynë synon të sjellë ndjeshmëri ndaj krizës aktuale të refugjatëve dhe populli i Kosovës dha aq shumë për të mbështetur këtë mesazh. Ka aq shumë mëshirë, bashkëndjesi dhe talent këtu në Kosovë sa që tanshmë është vulosur në secilin kuadër të filmit tonë. Mbështetja që populli i Kosovës na ka dhënë, nga Prishtina në Prizren, është forca më e madhe e filmit tonë. Janë përpjekjet e secilit nga këta individë që kanë mbledhur dhe krijuar këtë sukses. Kjo do të thotë se mesazhi i bashkëndjesisë së filmit dhe të kuptuarit ndaj refugjatëve dhe agonisë prej të cilës ata po ikin do të rezonojnë edhe më tej me publikun përreth botës.’, tha Mulloy.
Në konferencë ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të filmit “Home” nga Kosova, të cilët ndanë me të pranishmit përvojat e tyre personale të realizimit të projektit.
“Ka qenë një përjetim transformues procesi i të sjellit në jetë këtë film, bashkë me një ekip i cili ka punuar përtej limiteve për të mbështetur një kauzë e cila është ende e afërt në zemrat dhe shtëpitë tona. Mulloy është i shkëlqyer me mënyrën si depërton në shpirtat e njerëzve duke krijuar një film si HOME. Çmimi BAFTA është një testament i potencialit të Kosovës për të siguruar një terren ku filma të mëdhenj mund të krijohen”, tha menaxherja e produksionit Renea Behluli.
Dizajnerja e produksionit, Mrina Godanca, theksoi vullnetin e njerëzve për të ndihmuar filmin. “Për mua, sado sfiduese që ka qenë ky projekt, ajo që e ka mbajtur në këmbë këtë proces kompleks ka qenë mirëkuptimi, dhembshuria dhe të qenit i hapur, e kjo vlen për të gjithë të involvuarit. Nuk e di pse por ka momente kur prapë befasohem nga vullneti e njerëzve për të ndihmuar njëri-tjetrin. Krejt çka duhet të bësh është ta kërkosh atë. Është mahnitëse. Ne kemi biseduar dhe punuar me persona tërësisht të panjohur për ne dhe ata menjëherë kanë pranuar të jenë pjesë e diçkaje më e madhe se ata. E kjo sidomos kur ata e kuptonin mesazhin e filmit. Ne duhet t’ia rikujtojmë vetes se gjëra të mëdha mund të arrihet edhe në Kosovë nëse punojmë me pasion dhe zell. Për mua, kjo ka qenë një eksperiencë jetësore”, tha Godanca.
Elmedinë Morina, drejtoresha Artistike në Kosovë, po ashtu ndau përvojën e saj të punës.
“Bashkëpunimi i mirë mes njëri-tjetrit brenda ekipit ka ardhur si rezultat i besimit të ndërsjellë si reflektim i drejtpërdrejtë i besimit të Danielit në secilin prej nesh qysh prej fillimit të përfshirjes tonë në projekt. Të përfshihesh në një projekt të tillë, si një profesionist i ri dhe me vetëbesim të brishtë do të kishte ndikuar në rezultatin e punës, por me mbështetjen dhe besimin e pakusht që Danieli dhe Shpati kanë shfaqë gjatë tërë kohës te ne ka bërë që edhe ne të punojmë me të njëjtin entuziazëm dhe përkushtim, të sigurt në çdo vendim që e kemi marrë. Ne kemi pasur rastin të punojmë me një numër të madh personash që kanë treguar gatishmëri dhe mbështetje të pakusht ndaj nesh. Kjo na ka mësuar që kur je i përkushtuar dhe i sinqertë në punën që bën dhe ndaj personave me të cilët bashkëpunon, rezultatet pozitive janë të pashmangshme”. tha Morina.
Nita Deda, drejtoreshë e DokuFest si dhe Line Producer në filmin “Home”, foli për përvojën e saj dhe rënësinë e çmimit: “Pjesa më e bukur e përvojës sime në këtë film ka qenë entuziazmi dhe përkushtimi që e kemi nda si ekipë, ku gjatë tre ditëve aspak të lehta të xhirimit ka ardhur në pah puna dhe planifikimi paraprak që e kemi bërë me muaj të tërë. Fakti që ekipi ynë ka qenë në të njëjtin nivel profesional me ekipin shumë të eksperiencuar nga Anglia tregon potencialin profesional të rinisë së Kosovës kur fuqizohemi dhe kur besohet në talentin tonë”.
“Si bashkëproducentë të filmit, ne në ‘DokuFest’ jemi tepër krenarë që kemi qenë pjesë e familjes që e ka jetësuar këtë projekt. Suksesi i tij është frymëzim për të gjithë ne që punojmë në kulturë dhe që dimë për rëndësinë e komunitetit edhe magjisë që ndodhë kur njerëzit bashkohen rreth një ideje dhe kauze. Çmimi ‘BAFTA’ është edhe një dëshmi se projektet e tilla kulturore janë mënyra më e mirë përmes të cilës mundemi me prezantuar vendin tonë ende të izoluar, dhe si të tilla meritojnë mbështetje.”, tha Deda.
Shpend Qamili nga Zyra e Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të cilët ishin mbështetësit të filmit, tha se UN Kosovo Team mbështet të talentuarit, novatorët dhe entuziastët që e duan Kosovën.
“Qysh në fillim kemi vënë re mundësitë e këtij projekti në lidhje me promovimin e çështjes së refugjatëve, vështirësive që ata kalojnë, dhunës dhe cenimit të drejtave të tyre. ‘HOME’ reflekton këtë nga zemra e qytetarëve të Kosovës. Filmi gjithashtu promovon edhe talentët e shumtë dhe mundësitë që industria e filmit dhe arti në përgjithësi mund të krijojë në Kosovë. Ne do të vayhdojmë të përkrahim projekte të tilla”, tha Qamili.
“HOME” është bashkë-produksion i DokuFest, Somesuch dhe Black Sheep Studios me aktorët Jack O’Connell dhe Holliday Grainger në rolet kryesore.
Filmi 20 minutësh është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe dhe e thekson gjendjen e refugjatëve dhe dhunës me të cilën përballen qindra mijëra njerëz në të gjithë botën.