Pas sukseseve nëpër festivale të ndryshme në mbarë botën, për gati dy vjet filmi “Home” i regjisores kosovare More Raça vazhdon rrugëtimin në një tjetër festival.
Do të shfaqet para publikut italian në ngjarjen e cila do të zërë vend prej datës 24 deri më 30 shtator. Festivali ku do të ndalet “Home” merret ekskluzivisht me barazi gjinore dhe diversitet. “Bari International Film Festival” këtë vit shënon edicionin e tij të katërt, shkruan sot “Koha Ditore”.
Festivali më datën 11 të këtij muaji pati një ngjarje që i parapriu hapjes zyrtare. Me këtë rast u shfaq filmi “Father” i regjisores Giada Colagrande, në të cilin luan aktori i njohur hollywoodian Willem Dafoe. Ai ishte i pranishëm në natën e shfaqjes së këtij filmi, i cili është realizuar në vitin 2016.
“Home”, i cili bazohet në ngjarje të vërtetë dhe paraqet konfliktin për çështje trashëgimie mes të vëllait dhe motrës, në mes të drejtës tradicionale dhe asaj ligjore, do të shfaqet atje më datën 30 shtator.
Në këtë film luajnë: Xhejlane Tërbunja, Sunaj Raça, Kumrije Hoxha, Bekim Mulaj, Florentina Ademi, Veton Osmani, Albulena Bardhi, Mirsad Ferati, Don Raça, Gani Morina. Filmi është prodhim i shtëpisë filmike “Arena” dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.