Një investim i madh nga Gjermania i është shtuar sot Kosovës, i cili është inauguruar në Prishtinë.
Laboratori i analizave të materialeve të ngurta, i cili është i pari, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, mblodhi rreth vetes figurat kryesore politike të Kosovës dhe diplomatë gjermanë.
Kryetarja e shtetit, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në prerjen e shiritit të laboratorit të kompanisë Horn & Co, e vlerësoi këtë investim shumë të rëndësishëm, duke shtuar se me këto veprime Gjermania po tregon se mbetet partneri më i rëndësishëm i Kosovës në Bashkimin Evropian. Sipas saj, ky investim është dëshmia më e mirë se bashkëpunimi Kosovë-Gjermani po forcohet.
Për investimin në Prishtinë ka folur edhe drejtori i kompanisë Horn & Co, Loras Fuchtjohann, të cilin e gëzon kjo hapje sepse përkon me 100-vjetorin e themelimit të kompanisë.
Edhe zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, që ishte i pranishëm në ceremoni, shtoi se ky investim sot i përket një dimensioni tjetër nga ai që kemi parë deri më tani nga kompania gjermane Horn & Co dhe se ky është një investim që ka kushtuar shumë para.
Laboratori, i cili është edhe në bashkëpronësi të biznesmenit shqiptar Argjend Kamberaj, do t’u shërbejë të gjitha kompanive dhe prodhuesve kosovarë për të përmirësuar cilësinë e produkteve të tyre dhe se me këtë laborator, rrugët dhe ndërtesat e Kosovës do të jenë më të sigurta.