Njohësi i çështjeve politike, profesori Afrim Hoti e ka arsyetuar vendimin e kryeministrit Albin Kurti që mos të marrë pjesë në takim me presidentin serb Aleksandar Vuciq më 11 maj në Bruksel.
Hoti në një intervistë për Ekonomia Online, shtoi se për takime të tilla duhen përgatitje paraprake, duke shtuar se për dialogun dypalësh duhet të përgatitet një platformë e qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Por sipas tij, vizita dy ditore e Kurtit në Bruksel, nënkupton që Qeveri e re i ka thënë “po” dialogut me Serbinë.
“Ajo mund të jetë e natyrave të ndryshme duke filluar që nga çështjet përgatitore sepse nuk është ideja që të merret pjesë në një takim të caktuar, por më shumë sësa aq ky takim do duhej të paraprihej nga një platformë e qartë që ligjvënësit kosovarë, pra Parlamenti do duhej ta miratonte në mënyrë që ta trasonte rrugën se nga duhet të ecet më tutje”.
“Sido që të jetë në rastin e parë ose të dytë dialogu në Bruksel tashmë ka filluar sepse prezenca fizike dhe takimi me krerët e BE-së përfshirë dhe z.Lajçak nënkupton që kosovarët e respektivisht institucionet e reja i kanë thënë po dialogut më tutje dhe se sigurisht në ditët dhe javët në fillim do pritet që të koordinohet një takim më i mirë në mes të krerëve të shteteve të kryeministrit Kurti dhe Vuçiq”, përfundoi ai.
Hoti thekson që jetike në këtë proces është të mos dëmtohet funksionalizimi i shtetit të Kosovës, raporton EO.
“Kryeministri Kurti ka të gjitha të drejtat për të besuar që pak mund të bëhet ose nëse eventualisht nëse nuk ka një vullnet të qartë nga ana e Brukselit amullia do të vazhdonte për Kosovën. Involvimi i faktorëve të tjerë si garanci e arritjes së marrëveshjes në radhë të parë dhe zbatimit në radhë të dytë është mëse i domosdoshëm, këtu e kam fjalën për ShBA-në. Po theksoj dhe njëherë prezenca e kryeministrit Kurti dhe ekipit të tij në Bruksel nënkupton që autoritetet kosovare janë pro dialogut dhe se ky dialog duhet të zhvillohet në ritme të kujdesshme në mënyrë që sa më shpejtë të shkojmë te epilogu”, tha Hoti.
“BE-ja deshëm ose nuk deshëm është faktor kyç në këtë proces, sepse të dy akterët e involvuar në konflikt synojnë që destinacionin e fundit ta kenë Bashkimin Evropian. Prandaj çfarëdo zgjidhje përfundimtare do duhej që të kishte miratimin e BE-së, e çfarë duhej të ishte prioritet funksionalizimi i funksionit të shtetit, sepse fakti që ulemi në tryezën e diskutimit apriori nënkupton që palët duhet të jenë të gatshme për të bërë kompromise, për të dhënë diçka nga konceptet e veta dhe është jetike për palën kosovare që të mos e dëmtojë funksionalitet e shtetit të Kosovës”, theksoi tutje ai.
Prezantimi i dokumenteve jo-zyrtare “non-paper” Hoti i shesh “bomba të kurdisura” nga persona që i njohin mirë këto çështje dhe provojnë që të testojnë palët e dialogut.
“Mendoj që prezantimi ose qarkullimi në publik i dokumenteve të tilla jo zyrtare janë refleksion i qartë se po i afrohemi stadit final dhe në momente të tilla mund të ketë edhe boom në mënyrën e prezantimit, në mënyrë që mos të duken sikur bomba të kurdisura këto plane”.
“Shtete të ndryshme provojnë që të qarkullojnë opsione sa për të testuar njërën ose palën tjetër dhe këtu matet pulsi se sa është e gatshme pala A respektivisht pala B për t’i dhënë zgjidhje konfliktit të tejzgjatur. Sidoqoftë nuk janë dokumente për t’u hedhur sepse ata që hartojnë dokumente janë njerëz që njohin rrethanat, dhe përmes këtyre ‘Non-paper’ provojnë me ble palën”, u shpreh tutje ai.