Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten në Prizren që nga janari 2018, programi i tyre parasheh trefishimin e subvencione për bujqësinë.
“Ne ju garantojmë bujqve dhe fermerëve që subvencionet e shtetit do t’i marrin ata, e jo grupet kriminale që i kanë marrë në emër të tyre, e tash po akuzohen për mashtrim”, ka thënë Hoti.
Ai ka paralajmëruar edhe zëvendësimin e pajisjeve bujqësore të cilat janë bukur shumë të vjetruar.
“Ndër masat e para në fushën e fuqizimit të bizneseve do të jetë krijimi i një Fondi Zhvillimor për të përkrahur biznesin vendor dhe fuqizimi i skemës së garantimit të kredive. Nëpërmes këtyre masave, ne parashikojmë që norma e papunësisë të jetë në numër njëshifror, ndërsa paga minimale në sektorin privat dhe atë publik të jetë 210 euro bruto”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se paga mesatare, pensionet dhe bursat për studentë do të rritet për çdo vit, në harmoni me rritjen ekonomike në vend.
“Mos u mashtroni me premtime elektorale për rritje pagash e pensionesh. Ato premtime janë të pa bazuara në ligj dhe janë të pamundshme. Vetëm programi ynë mundëson rritjen e pagave e pensioneve. Sepse vetëm programi ynë garanton rritje ekonomike. Rritjen e pagave ne do ta bëjmë çdo vit, mbi bazën e rritjes ekonomike të Kosovës. Ne kemi plan konkret për t’ia paguar një vit pune secilit të ri që diplomon, në mënyrë që secili prej tyre të përgatitet edhe praktikisht për tregun e punës”, ka thënë Hoti.
Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se koalicioni ynë ka program të harmonizuar. “Ky program i garanton Kosovës zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, mirëqenie sociale, arsimim e shërbim shëndetësor cilësor. Çka është kryesorja, ne jemi të vetmit që kemi demonstruar vendosmëri dhe jemi të përkushtuar ta luftojmë pa kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta mbrojmë vendin tonë prej terrorizmit”, ka thënë Mustafa.
Presidenti i AKR-së, Behxhet Pacolli ka thënë se Presidenti Rugova e ka përmendur shumë shpresën, e neve qytetarët po na quajnë koalicion të shpresës. “Ne jetësojmë shpresën. Prandaj, më 11 qershor, votojeni këtë koalicion. Ardhmëria është në duart tuaja. Personalisht, me krejt çka posedoj e mbështes këtë koalicion dhe profesor Hotin”, ka thënë Pacolli.
Mimoza Kusari Lika, kryetare e Alternativës ka thënë se ne gjithmonë e kemi lakmuar Prizrenin, sidomos për infrastrukturën. “Por, jo të njëjtën na e thonë qytetarët e Prizrenit. Ata thonë se Prizreni është i të gjithëve, por jo i prizrenasve, për arsye se është qeverisur nga e njëjta qeveri që qeveris me Kosovën tash e dhjetë vjet. E njëjta qeverisje që e sheh Prizrenin veç si makineri votash dhe asgjë tjetër”, ka thënë Kusari Lilaj.
Ajo ka shtuar se në njërën anë e keni një koalicion të territ, në anën tjetër një koalicion të shpresës, me njerëz që janë bashkuar duke i tejkaluar të gjitha interesat, janë bashkuar për të bërë një zgjidhje për Kosovën dhe ajo zgjidhje do të fillojë implementimin më 11 qershor.
“Dilema e vetme është ndërmjet koalicionit të shpresës e zhvillimit e dritës dhe atij të regresit e izolimit. Nuk ka të ndërmjetme. Më 11 qershor mos votoni me zemër, votoni me kokë. Zemra sjell emocione, të cilat mund të na çojnë edhe në rrugë të gabuar. Nuk ka kthim më 12 qershor, më 11 është dita e fitores”, ka thënë Kusari Lila.
Sipas saj, në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit mund t’u ofrojnë iftar, ju ofrojnë edhe gjëra tjera materiale në shkëmbim të votës suaj. “Dijeni se ato që u ofrojnë janë trosha nga zhvatja dhjetëvjeçare që ia kanë bërë buxhetit të shtetit. Mos pranoni që për një ditë ose një muaj, të vuajmë për katër vjet”, ka thënë kryetarja e Alternativës.
Kusari Lila ka shtuar se ata që e quajnë veten trima dhe të guximshëm, u munduan të kontrabandojnë ligjin për ushtrinë. “E sollën dhe e kthyen prapa. Ata që e quajnë veten trima, bllokojnë ligje strategjike për zhvillimin e Kosovës. Ata nuk janë trima. Ata janë frikacakë, oportunistë, të cilët nuk shohin më larg se interesi i tyre”, ka thënë ajo.
“Derisa në njërin koalicion kryeministri Mustafa tërhiqet nga lista me nder e krenari, për t’ia lënë udhëheqjen një ministri të suksesshëm, në koalicionin tjetër bëhen pazare pa parime për të marrë pushtet. Mos harroni, njëri koalicion është për shtet, tjetri për pushtet dhe keqqeverisje”, ka thënë në fund Kusari Lila.