Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti ka thënë se ditëve të fundit ka një trend të mirë të vaksinimit në Kosovë.
Hoti në RTV Dukagjini ka thënë se deri më tani rreth 20% e popullatës në Kosovë ka marrë dozën e parë të vaksinës.
“Llogaritet se deri më tani rreth 20% e popullatës në Kosovë ka marrë dozën e parë të vaksinës Kemi mbi 110 mijë persona që e kanë marrë edhe dozën e dytë por po shohim që ka interesim të jashtëzakonshme për t’u vaksinuar”, deklaroi Hoti.
Ai thotë se është lehtësuar mënyra e vaksinimit të qytetarëve në mënyrë që të ketë sa më shumë imunizime.
“Ka lehtësira të shumta. Madje tashmë qytetarët kanë mundësi që të zgjedhin edhe llojin e vaksinës që duan ta marrin apo nëse duan të bëjnë ndonjë kombinim të vaksinave”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Hoti thotë se kombinimi i dozave në vende të ndryshme është aplikuar dhe sipas tij kjo ka rezultuar e suksesshme.
Ai thotë se është objektiv i Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të arrihet vaksinimi i 60% të popullsisë deri në fund të vitit.
Hoti thotë se me vaksinim synohet që të evitohet mbyllja e serishme e vendit.
Duke folur për variantin delta të coronavirusit, Hoti thotë se deri më tani janë regjistruar dy raste nga mostra që janë dërguar jashtë vendit.
“Deri më tani situatë është e qetë dhe stabile, por nuk do të thotë se situata e njëjtë vazhdon edhe më tej nëse qytetarët nuk vaksinohen”, deklaroi më tej Faik Hoti.