Këshilli Atlantik do të mbajë një samit virtual me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit që do të mbahet nesër, pjesëmarrës do të jetë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti si dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Shtetet pjesëmarrëse janë Kosova, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, raporton Gazeta Express.
Në njoftimin e Këshillit thuhet se folësit kryesorë do të jenë, Avdullah Hoti, Aleksander Vuçiq, Stevo Pendarovski, Zoran Tegeltija dhe Dragica Sekulic.
Tutje Këshilli Atlantik njofton se lidhur me këtë samit, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar për veprime praktike për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal ekonomik.
“Këta hapa konkretë do të ndihmojnë rajonin të dalë nga ndikimi shkatërrues i COVID-19 me mundësi më të mëdha të zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e Këshillit Atlantik.
“Kjo marrëveshje do të tregojë përkushtimin e udhëheqësve për të nxitur rritjen ekonomike duke ndjekur lëvizjen e lirë të mallrave, personave dhe shërbimeve përtej kufijve të rajonit. Masa gjithashtu do të vërë në lëvizje një plan të rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja dhe përshpejtimin e vendosjes efektive të fondeve të rimëkëmbjes nga COVID-19″, thuhet tutje.
Këshilli Atlantik është një organizatë jopartiake me bazë në kryeqytetin amerikan Washington D.C.