Kryeministri Hoti: Qeveria do t’i dyfishojë subvencionet për bujqësinë

Prishtinë | 04 Kor 2020 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka marrë pjesë në hapjen simbolike të fushatës së korrje-shirjeve të grurit, që nisi sot në Shirokë të Suharekës, më konkretisht në 54 hektarët e mbjellë me grurë të Nisret Bajraktarit.

Kryeministri Hoti, gjatë këtij aktiviteti, ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës do t’i dyfishojë subvencionet për sektorin e bujqësisë, porse kjo nuk mund të bëhet pa miratimin e buxhetit dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Qeveria do të jetë pranë bujqve për t’i ndihmuar ata në tejkalimin e gjitha problemeve”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se ky vit na ka treguar se sa e rëndësishme është që të kemi prodhues vendorë e bujq të vyeshëm.


Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, kryeministri Hoti theksoi se e dinte që disa deputetë dhe një pjesë e stafit të Kuvendit janë të prekur nga koronavirusi, por është nevojë urgjente të gjendet një formë për mbajtjen e një seance për ta kaluar buxhetin.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, rikujtoi se Ministria e Bujqësisë ka ndarë për bujqit e vendit 24 milionë euro në formë të subvencioneve dhe 29 milionë të tjerë në formë të granteve, ndërkohë që Qeveria ka në plan që këto investimeve të dyfishohen.


Të ngjashme