Hoti: E papranueshme sjellja e Qeverisë ndaj sindikatave

| 10 Dhj 2021 | 14:10 | Nga

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë Kurti për tendencë për ndërhyrje në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Hoti thënë se janë bërë nëntë muaj prej kur Ligji i Pagave në Sektorin Publik nuk është sjellë në Kuvendin e Kosovës. Ai ka shkruar se ky ligj ka qenë pothuajse i gatshëm në Qeverinë paraprake që drejtohej nga Hoti.

“Në anën tjetër, në vend të dialogut social me sindikata për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për buxhetin dhe që do të ishte e pranueshme për të gjithë, ne po shohim konfrontime qeveri-sindikata dhe tendencë për ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e organizimit sindikal në Kosovë. Kjo sjellje është e papranueshme”.

“Sindikatat janë institucione shoqërore të veçanta, të rregulluara dhe të mbrojtura me ligj. Ato kanë bartur barrën e ndryshimeve shoqërore e politike në Kosovë në vitet më të vështira. Ato nuk janë vetëm organizata që mbrojnë interesat e punëtorëve që ato i përfaqësojnë. Është obligim shtetëror që sindikatat të jenë pjesë substanciale e konsultimeve për ligjin e pagave, si dhe për shumë ligje dhe vendime të tjera shtetërore”.

“Me këtë vonesë të procedimit në Kuvend të ligjit për paga në sektorin publik dhe mosinteresim të qeverisë për të adresuar shqetësimet e sindikatave, me të drejtë deputetë të opozitës marrin nisma për ndarje të buxhetit për paga.  Ne do ta diskutojmë me shumë kujdes amandamentin për ndarjen e mjeteve për paga në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-se përpara seancës së Kuvendit më 22 dhjetor, kur votohet buxheti në lexim të dytë”,ka thënë Hoti.

Të ngjashme