Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar kryetarin e ri të Mitrovicës, Faton Peci, për ta uruar për marrjen e detyrës.
Peci ka thënë se në takim është diskutuar për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës dhe mbështetjes institucionale.
Ndaj vizitës së Osmanit ka pasur reagim nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së. Ai ka thënë se Osmani nuk përfaqëson unitet, por “favorizime e përçarje”.
“Kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake, Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike. Shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues. Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Osmani e Peci kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media pas takimit.
“…duke ditur vullnetin me të cilën punon dhe seriozitetin që merr secilën punë dhe njëkohësisht jam e bindur që edhe nga aspekti politik duke ditur rëndësinë e Mitrovicës do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdojmë ta ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës, integritetin territorial. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve”, tha Osmani.
E pyetur se pse nuk ka përkrahur në të njëjtën mënyrë ish-kryetarin e Mitrovicës nga radhët e PDK-së, Bedri Hamzën, Osmani u kundërpërgjigj se është një propagandë, pasi ka vizituar disa herë Hamzën dhe ka pasur përkrahjen e njëjtë.
“Unë kam mendim dhe mendimi i parë është që ajo që sapo e the është ‘fake news’, është propagandë, është gënjeshtër, sepse jo një herë, po disa herë e kam vizituar Bedri Hamzën sa ka qenë kryetari i komunës. Jo vetëm në këtë zyrë, por kemi qenë në vizitë nëpër projekte të ndryshme, në shkolla biznese së bashku më të kemi vizituar edhe OJQ të ndryshme, pra edhe kryetari paraprak, ka pasur përkrahjen time të plotë”, shtoi Osmani
Peci tha se është diskutuar për çështjet kryesore si arsimi, shëndetësia, por edhe çështjet arkeologjike që shpalosin trashëgimin potenciale të këtij qyteti, porse nuk demonstrohet në terren. Për këtë Peci tha se duhet të përmirësohet dhe të investohet në infrastrukturë.
“Diskutuam për të gjitha temat që janë me interes publik, duke filluar prej çështjeve ambientale, deri tek çështjet arkeologjike që shpalosin trashëgimin potenciale, edhe për mundësinë që qyteti i Mitrovicës është më i bukuri për ata që i ka dhënë perëndia por që nuk është demonstrim i gjendjes faktike në terren, ta përmirësojmë dhe ta avancojmë përmes investimeve konkrete çoftë ato infrastrukturore”, tha Peci.