Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka thënë se marrëveshja e paqes me Serbinë arrihet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga qeveria e Kosovës.
Hoti ka shkruar në Facebook se pengesat e vetë shkaktuara na përjashtojnë nga ky proces duke aluduar në taksën e vënë nga qeveria Haradinaj ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Hoti edhe njëherë ka kërkuar që Kryeministri Kurti të marrë vendim për taksën pasi që limiti kohor po kalon.
Postimi i plotë i tij:
Para nesh kemi një proces sfidues të arritjes së Marrëveshjes së Paqes me Serbinë, që si konkluzion ka njohjen reciproke, siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës.
Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë.
Kjo marrëveshje arrihet vetëm përmes një procesi dinamik dialogues të UDHËHEQUR nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ne, si Qeveri me legjitimitet të plotë qytetarë, do të jemi pjesë e zgjidhjes (të mirë) për vendin.
Pengesat e vetë shkaktuara që na përjashtojnë nga ky proces nuk na ndihmojnë, përkundrazi.
Jemi në limit të kohës që të bëhemi pjesë e mbrojtjes dhe avancimit të sovranitetit të vendi tonë.