Hoti ia kujton Kurtit fjalët për dialogun: Dëgjojeni

Prishtinë | 11 Maj 2023 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka publikuar një video të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti teksa ishte në opozitë duke folur për raportin që duhet ta ketë vendi me Serbinë.

Në këtë video që Hoti e ka shpërndarë në rrjetin e tij social Facebook, Kurti dëgjohet duke përmendur 5 lloje të kushteve që Kosova duhet t’i vë para negociatave dhe bisedimeve me Serbinë.

Ai ka thënë se Serbia duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj, ku thotë se Kosova është pjesë e saj, po ashtu thotë se Serbia duhet t’i kthejë të pagjeturit dhe të ndaloj shtypjen dhe diskriminimin e shqiptarëve në Luginë.

Hoti këtë video e ka shpërndarë me mbishkrimin “Ja njeriu i fjalës. Dëgjojeni!”.

“Janë 5 lloje të kushteve që Kosova duhet me ja paraqit Serbisë. Kushti i parë juridik dhe legal Serbia duhet me ndryshu kushtetutën e saj ku thotë që Kosova është pjesë e Serbisë dhe me pranu Pavarsinë e Kosovës. Kushti i dytë humanitar dhe moral është se Serbia duhet me na i kthy të pagjeturit dhe duhet me na kërku falje për krimet e kryera. Kushti i tretë dhe i drejtësisë, me na i dorzu ata kriminelë që i kanë ba vrasjet dhe krimet e organizuara në Kosovë”.

“Kushti i katërt është kushti politik Serbia duhet të pushojë me shtypjen dhe diskiminimin e shqipëtarëve në Luginë të Preshevës dhe me financimin dhe dirigjimin e strukturave në veri të vendit dhe kushti i pestë është kushti i zhdëmtimit. Pa plotësimin e këtyre 5 llojeve të kushteve ne nuk kemi pse komunikojmë se lerë më të dialogojmë e të negociojmë me Serbinë”, dëgjohet duke thënë Kurti në videon e shpërndarë nga Hoti.

Të ngjashme