Hoti informon BERZh-in për projektet infrastrukturore

Prishtinë | 09 Maj 2017 | 16:19 | Nga

Ministri i Financave Avdullah Hoti, po merr pjesë në takimet vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) të cilat këtë vit po mbahen në Qipro.

Delegacioni i Kosovës sot u takua me zv.presidentin e BERZh-it, Pierre Heilbronn, me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në BERZh, Holger Muent, drejtoreshën për Transport Sue Barret, si dhe drejtorin ekzekutiv të Konstituencës, Ove Jensen.

Në të gjitha takimet, zyrtarët e BERZh-it kanë përgëzuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Financave për implementimin me sukses të të gjitha reformave që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë takimeve gjithashtu u diskutua edhe për projektet të cilat financohen nga ana e BERZh-it, me një portfolio totale prej 227 milionë euro, prej të cilave 157 milionë janë projekte aktive.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti gjatë takimeve me zyrtare të lartë të BERZh-it i njoftoi ata për progresin e arritur në projekte, ku në veçanti u diskutua për projektet e infrastrukturës të cilat së shpejti fillojnë së implementuari.

Ndërsa gjatë takimit të ministrit Hoti me drejtorin e BERZh-it për Ballkanin Perëndimor, Holger Munet dhe ekipin, i cili ka punuar në finalizimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili ditë me parë është nënshkruar nga kryeministri Mustafa, u diskutuan për fillimin e implementimit të këtij Memorandumi.

Gjatë këtij takimi në veçanti u diskutua për fillimin e projektit për zhvillimin e zonave industriale në të gjitha regjionet e Kosovës, si dhe mbajtjen e një tryeze të përbashkët me odat ekonomike dhe me bizneset në mënyrë që të informohen për përfitimet që mundë të kenë bizneset nga Memorandumi i Bashkëpunimit me BERZh-in.

Gjithashtu ministri Hoti në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Kosovës pranë BERZh-it, nesër do të merr pjesë në sesionet plenare të Bordit të Guvernatorëve të BERZh-it, në të cilat do të diskutohen raportet e ndryshme vjetore të BERZh-it si dhe do të votohet për drejtor të konstituencave.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme