Kryeministri Avdullah Hoti ka parë nga afër pajisjet e fundit ushtarake të FSK-së, të blera me buxhetin e Kosovës.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka njoftuar kryeministrin Hoti për procedurat e pranimit teknik të këtyre pajisjeve dhe shpërndarjen e tyre varësisht nga nevojat, duke thënë se kjo është në vazhdimësi të procesit të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, bazuar në mandat dhe mision të ri.
Kryeministri Hoti përgëzoi gjenerallejtënant Ramën për punën që po bëjnë, duke theksuar se është mirë që kjo punë po bëhet bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, por normalisht me buxhet të Republikës së Kosovës.
“Ne do t’ju qëndrojmë afër edhe në vitet e ardhshme, për të plotësuar nevojat e FSK-së dhe për të zbatuar plotësisht planin afatgjatë të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së. Unë jam sot këtu edhe për të demantuar çfarëdo informate që del në mediat ndërkombëtare lidhur me këtë furnizim që ka pasur FSK-ja. Kjo është plotësisht në përputhje dhe në marrëveshje me parterët tanë ndërkombëtarë”, tha kryeministri Hoti.
Më herët, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, vizitoi Qendrën Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
I shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kryeministri Hoti fillimisht është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Pasi ka vizituar Qendrën Mjekësore të FSK-së, kryeministri Hoti tha se është këtu bashkë me ministrin e Shëndetësisë, për të takuar ministrin, komandantin e FSK-së dhe gjithë stafin tjetër të FSK-së, ushtarakë, nga të cilët është informuar në detaje për përgatitjet që po bëhen për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.
Ai tha se do të punojnë bashkë me stafin shëndetësor të FSK-së që të integrohen me Ministrinë e Shëndetësisë dhe shërbimin spitalor për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë.