Më 15 janar në Bruksel do të mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët me emisarin special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në lidhje me të pagjeturit e luftës, raporton Ekonomia Online.
Andin Hoti, kryetari i komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, tha se ky takim ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur, transmeton Klankosova.tv.
Ai përmes një postimi në Facebook, po ashtu shtoi se delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçe që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kanë adresuar tek presidenti serb, Alleksandar Vuçiq.
Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues i Delegacionit të Republikës së Kosovës, për këtë takim.
“Për shkak të interesimit të madh, dhe si shkak i gjendjes sime shëndetësore (ftohje), përmes këtij njoftimi, uroj që të sqarohen disa të dhëna për takimin e radhës, që është paralajmëruar nga z. Lajcak. Me datë 15 janar 2025, në Bruksel, do të mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët, i cili do të zhvillohet në nivel të zëvendësuesve. Në këtë takim, Z. Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues Delegacionit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti.