Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas debateve që po bëhen rreth kandidatit për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e që ende nuk është vendosur nga ky subjekt.
Hoti ka reaguar përmes Facebook’ut, duke qenë paksa i ashpër duke thënë se kandidati për Kryeministër i LDK-së caktohen nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale.
Ai tutje ka shkruar lëvdata dhe epitete pozitive rreth LDK’së, ndër tjerash ka thënë se ky subjekt politik është më shumë se kaq, është shkollë e të menduarit politik.
“Kandidati për Kryeministër i LDK-së caktohen nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale. LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik, që e ruan kursin e zhvillimit demokratik dhe euro-integrues të Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë:
Kandidati për Kryeministër i LDK-së caktohen nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale.
LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik, që e ruan kursin e zhvillimit demokratik dhe euro-integrues të Kosovës.
LDK-ja i ka mbijetuar kohës së represionit serb, duke organizuar institucionet e Republikës së Kosovës.
LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës.
LDK-ja tash e ka sfidën e radhës, për të mos e lënë shtetin e Kosovës të rrëshqasë drejt autokracisë, izolimit dhe regresit.
LDK-ja nuk është perfekte, por është vlerë për Kosovën. Dhe do ta fitojë edhe këtë sfidë, jo për veten e saj, por për Kosovën.
Është obligim i LDK-së që gjeneratat e reja të zhvillohen duke u mësuar me tolerancën dhe demokracinë, me vlera njerëzore dhe evropiane, e jo me antivlera, militantizëm, dhunë dhe autokraci.