Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një paraqitje para gazetarëve, së bashku me deputetët e kësaj partie, tha se shteti i Kosovës është kapur nga bandat kriminale dhe ka paralajmëruar protesta për të ndalur copëtimin e territorit të Kosovës.
Ai e quajti maskaradë seancën e sotme të Kuvendit të thirrur nga Qeveria.
“Shteti i Kosovës është në rrezik nga bandat kriminale; është në rrezik nga zoti Veseli, zoti Haradinaj dhe zoti Thaçi. Këta njerëz e kanë pru shtetin e Kosovës buzë shkatërrimit. Duhet të mobilizohemi bashkë me qytetarët për të larguar këto banda kriminale. Duan ta bëjnë ekip negociator për të ndarë Kosovën. Nuk do të lejojmë këtë. Këta njerëz duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë”, deklaroi Hoti, sipas të cilit drejtuesit e shtetit kanë plane për copëtimin e territorit të Kosovës,
“Ne sot kemi qene në pritje të seancës se jashtëzakonshme të kërkuar nga tri grupet parlamentare. Tash është mbrëmje vonë dhe kryetari ende nuk e ka hapur këtë seancë. Kjo është shkelje e Kushtetutës”, tha shefi i grupit më të madh opozitar, raporton Ekonomia Online.