Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar që të përfshihet plani i Reagimit Kombëtar, në luftimin e pandemisë COVID-19, i cili parasheh angazhimin e institucioneve qendrore dhe lokale, raporton Ekonomia Online.
Hoti tha se ky propozim vjen pasi sipas ecurive Kosova ashtu sikur edhe vendet e tjera kanë hyrë veçse në fazën e dytë të pandemisë.
“Unë sygjeroj që të procedojmë kështu. Ne kemi një plan të reagimit kombëtar që aktivizohet në situata të tilla. Ne kemi pritur që në fund të korrikut dhe në gusht kurba e rasteve të vije duke rënë, por siç po ndodhë në vendet e rajonit dhe në Evropë në botë, duke se po hyjmë plotësisht në fazën e dytë të pandemisë”.
“Pritjet kanë qenë që ne të përgatitemi të hyjmë në vjeshtë në këtë fazë, por duket që qysh tash ne po hyjmë në këtë fazë. Duke qenë kështu unë kërkoj që të aktivizohet plotësisht plani kombëtar i cili është në fuqi, i cili parasheh angazhimin e secilës ministri dhe institucioneve në nivelin qëndror dhe lokal.Po ashtu edhe sektorin privat që e kemi prapa siç është ta zëmë testimi ose resurset që i vënë në dispozicion ky sektor, siç janë spitalet për menaxhimin e situatës”.
Hoti theksoi se me aktivizimin e këtij plani mundësohet koordinim më të mirë institucional në menaxhimin e pandemisë, pasi sipas tij Kosova është në gjendje të rëndë.
“Në veçanti nevojitet një plan si do të menaxhohet infrastruktura dhe furnizimet që janë të natyres kritike, që parashihen me Planin e Reagimit Kombëtare siç janë: Produktet farmaceutike, telekomunikuese, mbrojtëse si dhe funksionet vitale si janë: Policia e Kosovës, furnizimi me energji dhe ujë, dhe ai financiar që menaxhohet nëpërmjet Bankës Qëndrore. Duke aktivizuar plotësisht planin rritet koordinimi institucional, duke qenë se jemi në një fazë të rëndë me COVID-19”.
“Prandaj nëse jeni darkord nga sot të aktivizohet Plani Kombëtar. Unë e lus ministrin e Brendshëm në veçanti e lus atë që të thërret një takim me të gjithë bartësitë që të aktivizoj të gjitha hapat e paraparë. Po ashtu edhe lus që ashtu si u dakorduam e lus ministrin e Shëndetësisë që çdo javë të sjell raport për situatën. Në veçanti me rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar, në mënyrë që të marrim masat e duhura”.