Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë sa i përket dyfishimit të pagesave avans për investime kapitale.
Ai tha se kjo qeveri nuk ka lidhje me shtet, ekonomi dhe zhvillim.
“Këta qeveritarë lidhje me shtet nuk kanë, lidhje me ekonomi e me zhvillim nuk kanë. Bazuar në “Raportin e buxhetit për 2022”, Qeveria i ka dyfishuar pagesat avans për investime kapitale. Gjatë vitit 2022 pagesat avans kanë shkuar në 88.1 mil euro. Në vitin 2021 kanë qenë 47.5 mil euro, ndërkaq në vitin 2020 kanë qenë vetëm 20.1 mil euro”, tha Hoti.
Ai shtroi pyetje se si mundet që investimet të jenë të vogla, ndërkaq pagesat avans dyfishohen.
“Si ka mundësi që investimet kapitale gjatë vitit 2022 dhe 2021 të jenë shumë të ulëta, ndërkaq pagesat avans të dyfishohen secilin vit?! Besoj se Qeveria ka shumë punë për të sqaruar arsyeshmërinë e këtyre pagesave. Ky raport i buxhetit ka plot anomali të tjera, të cilat do të bëhen të ditura në ditët në vijim”, tha Hoti.