Konflikti ndërmjet SHBA-së dhe Iranit ka rritur shqetësimet globale për një konflikt të armatosur në Lindjen e Mesme, që do të mund të dilte jashtë kontrollit.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, në një prononcim për Ekonomia Online thotë se nuk ka rrezik për Kosovën sepse gjendemi në një rajon shumë të largët gjeografik dhe në kontinentin e Evropës ku vëmendja është shumë më e shtuar.
“Nuk besoj që ka rrezik për Kosovën duke marr parasysh që jemi një rajon shumë i largët gjeografik dhe për më shumë se kaq Kosova gjendet në kontinentin Evropian ku normalisht vëmendja është shumë më e shtuar dhe ka shumë më pak hapësira për forcat e tjera të cilat kanë hapësirë më të madhe të veprimit siç është Lindja e Mesme, Afrika dhe me fjalë të tjera tashmë ne në Kosovë kemi një lloj status quo dhe një lloj stabiliteti dhe pavarësisht zhvillimeve në Iran Kosova do të vazhdojë të ketë situatën e vet dhe nuk shoh ndonjë rrezik real që mund të ndikojë”, thotë ai.
Sipas Hotit, zhvillimet atje nuk mund të kenë efekte serioze për faktin se Kosova dhe Shqipëria me lidershipin e tyre kanë treguar një qasje kundrejt SHBA-së.
Por ai thotë se Irani dhe shumë vende të tjera Islamike e shohin Kosovën si një projekt i SHBA-së.
“Unë nuk besoj që këto do të kishin efekte shumë serioze për faktin që edhe Kosova edhe Shqipëria me lidershipin e tyre kanë treguar një qasje lojale kundrejt SHBA-së madje në dioptrinë Iraniane dhe të shumë vendeve Islamike Kosova shihet si projekt i SHBA-së dhe mua nuk më befason deklarimi i lidershipit iranian që shtetet e caktuara në BE kanë luajtur lojën me SHBA-në dhe fundja shumë më të fuqishme se Kosova e Shqipëria ata kanë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë Francën e vendet e tjera të cilat po qëndrojnë krah për krah”, thotë ai.
Hoti theksoi se Irani ka tentuar kohë pas kohe të shtrijë ndikim në vende të ndryshme përfshirë edhe SHBA-në.
“Mendoj që po flasim për një situatë të komplikuar për faktin që Irani edhe në të kaluarën edhe tani ka shtrirë ndikimin e në veçanti ka shtrirë ndikim që të jetë faktor dhe përcaktues i të gjitha rregullave në Lindjen e Mesme dhe nëse kemi parasysh që në teren kemi akterë të ndryshëm të cilët kanë provuar që kohë pas kohë të shtrijnë ndikimin e këtyre vendeve përfshirë këtu edhe SHBA-në , Federatën Ruse, Turqinë dhe vende të tjera dhe ajo çka është parë ka qenë një marrje e një roli më të dukshëm nga Irani dhe veçanti rol kyç ka pasur gjenerali Iranian Qasem Solemani”.
“Si situatë është jashtëzakonisht sensitive për faktin që Irani dhe SHBA-ja tradicionalisht nuk kanë pasur marrëdhënie të mira por nëse kemi parasysh që ndikimin që ka pasur ky autoritet ushtarak atëherë nuk do të ishte surprizë nëse situata eventualisht do të përshkallëzohej e mandej edhe të eskalonte tërësisht”, shtoi Hoti, raporton Ekonomia Online.
Udhëheqësi shpirtëror iranian, Ali Hamnei e shpalli Shqipërinë armike, duke shtuar se ajo është “vend i keq evropian i cili u kujdes për armiqtë e vet”.
Më 3 janar Gjenerali, Qasem Soleimani, kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit u vra nga forcat amerikane në Irak.
Gjenerali Soleimani ka qenë në makinë teksa ishte nisur në aeroportin e Bagdadit, bashkë me milicitë e përkrahura nga Irani, kur është qëlluar përmes një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se “hakmarrje e ashpër i pret kriminelët”, mbrapa këtij sulmi.