Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkruar se Marrëveshja e Washingtonit, e nënshkruar tri vjet më parë mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ishte kundërshtuar nga populistët që sot janë në pushtet.
Ai ka deklaruar në Facebook të hënën se për këtë Marrëveshje, që e kishte nënshkruar sa ishte kryeministër, ishte ofenduar e sharë, derisa ka shtuar se ajo është marrëveshja më e rëndësishme për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.
“Janë thënë shumë të pavërteta për Marrëveshjen e Uashingtonit nga opozita e atëhershme. Cilësimi i një marrëveshje që është arritur në Shtëpinë e Bardhë si e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën ishte gabim strategjik. Pasojat po i bartin çdo ditë. Unë personalisht jam fyer e sharë nga opozita e atëhershme. Ata populistë sot janë në Kuvend, Qeveri dhe Presidencë. Sot, është e qartë se ato epitete i meritojnë ata, jo unë. Sot, është e qartë se ata persona: ose janë mashtrues, ose janë naivë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ose kanë tjetër orientim për Kosovën. E di secili prej tyre se në cilën kategori bien. E di edhe unë”, ka shkruar Hoti.
Deputeti i partisë opozitare ka shtuar se pas arritjes së kësaj marrëveshjeje me Serbinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte nisur dialogu në Bruksel për njohje reciproke, “bazuar në parimin se nuk bisedohet për territore dhe as për organizimin kushtetues të shtetit”.