Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti është takuar me drejtorët e shkollave të komunës së Drenasit dhe të Fushë Kosovës. Ata kanë diskutuar për Programin Nacional për Rininë dhe për garat që janë duke u zhvilluar në kuadër të këtij programi.
Koordinatori Hoti i përgëzoi drejtorët e shkollave të Drenasit për suksesin e nxënësve në garën nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe atyre të Diturisë. Ai tha se ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e drejtorive komunale të arsimit, drejtorëve dhe stafit të shkollave.
“Brenda një viti, ne në bashkëpunim me juve arritëm të shpallim gjithsej 44723 fitues në dyja garat, të tria nivelet. Vetëm komuna e Drenasit ka gjithsej 2336 fitues në garën e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe në garën e Diturisë, e për këtë sukses meritat i keni ju të gjithë. Ne së bashku kemi dëshmuar se kur ekziston vullneti dhe dëshira për të punuar nuk mungon suksesi”, tha Hoti.
Nikoqiri i takimit, nënkryetari i komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, i cili aktualisht ka edhe kompetencat e drejtorit të arsimit në këtë komunë, e falënderoi Koordinatorin Hoti për takimin dhe tha se Programi Nacional për Rininë do të ngrisë cilësinë e arsimit.
“Fillimisht dua të falënderojë Koordinatorin Hoti për programin dhe për vizitën në komunën tonë. Programin Nacional për Rininë është një program i qëlluar dhe në të ardhmen do të ndikojë edhe në përmirësimin e rezultateve të PISA-së. Komuna jonë ka pasur rezultate të mira në të gjitha nivelet, kemi pasur fitues edhe në nivelin republikan, prandaj ne duhet të përkushtohemi që edhe në garat e tanishme të tregojmë sukses. Ky program është krah i djathtë i ngritjes së cilësisë së arsimit”, tha nënkryetari Hasi.
Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe Drejtoresha për Kulturë dhe Sport, Shqipe Zogu, e cila tha se drejtoria që ajo drejton, është e përkushtuar që procesi i garave të sportit të ecë mbarë.
Koordinatori Hoti ka takuar edhe drejtorët e shkollave të Komunës së Fushë Kosovës me të cilët bisedoi për ecurinë e garave dhe për suksesin e nxënësve në këtë komunë.
Në shenjë falënderimi për bashkëpunim dhe për rezultatet Koordinatori Hoti ndau mirënjohje për DKA-të e të dyja komunave si dhe për drejtorët e shkollave të tyre.