Hoti: Kurti anuloi dy projektet amerikane për energjinë, i shërbeu atyre që duan të jemi të varuar nga importi

Prishtinë | 31 Maj 2026 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga LDK-ja, Avdullah Hoti, thekson se dy projektet energjetike, “Kosova e Re” dhe “Centrali i gazit”, mbesin projektet më strategjike të Kosovës sot dhe për dekadat në vijim. Por, Hoti shprehet se “anulimi i këtyre projekteve strategjike nga Kurti, mbështetur nga individë të shumtë në politikë dhe në shoqërinë civile, ka qenë veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan”.

Për py projektet në fjalë, Hoti deklaron se “fushata mashtruese për gjoja ndotje të ambientit, ndërkohë që dëshmohej përdorimi i teknologjisë së avancuar dhe të pastër nga prodhues të njohur perëndimor, ka qenë maskim i Kurtit dhe i mbështetësve të tij për mashtrimin e publikut. Kjo lloj fushate duket qartë se u ka shërbyer atyre që, për qëllimet e tyre ekonomike e politike, e duan Kosovën të varur nga importi i energjisë”.

“Ka nga ta që edhe sot veprojnë njëjtë sikurse zotëruesi i tyre politik. Ka të tjerë që heshtin. Për ata që pa vetëdije kanë rënë në grackën e këtij mashtruesi, besoj se kërkim falja dhe distancimi nga kjo politikë anti-shtetërore dhe anti-amerikane është veprimi i parë i duhur dhe përbën gjest fisnik”, vijon Hoti.

“Çfarë duhet tjetër për të kuptuar politikën anti-shtetërore të Kurtit dhe të atyre që i shkojnë pas?!”, pyet Hoti.

“Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht tu kthehet zbatimit të këtyre projekteve. Kosova mund dhe do të bëhet neto eksportues i energjisë”, thotë ai.

“Kosova mund t’i lejojë vetes të ketë varësi energjetike vetëm nga SHBA përmes projektit të gazit amerikan”, vijon ai.

Të ngjashme