Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, nga data 16 deri 20 maj, për herë të parë po organizohet Festivali “Ditënetët e Librit”, nga Klik Ekspo Group, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Bashkinë e Tiranës.
Në hapje të festivalit, sesioni i parë ka pasur për tematikë poezinë nga Kosova. Veprimtaria shoqëruese e sesionit të parë është emërtuar “Kosova vjen mes vargjesh”, ku kanë qenë të ftuar Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro – Furxhi, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga Republika e Kosovës, Rexhep Hoti dhe personalitete tjera të kulturës.
Në këtë sesion të parë u lexuan vargje të poetëve nga Kosova, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Azem Shkreli e Rexhep Hoti.
Zëvendësministri Rexhep Hoti, njëherësh poet e shkrimtar, në ceremoninë inauguruese të Festivalit, u nderua me medaljen mirënjohëse “Shqiponja e Artë”, me motivacionin “Për përkushtimin me të cilin kontribuon në përçimin e vlerave të kulturës dhe artit në mbarë trojet shqiptare, përmes angazhimeve serioze në nismat përbashkuese, kontributin në fushën studimore të veprës të Ismail Kadaresë, si edhe krijimtarisë së spikatur poetike.”
Me këtë rast, Hoti, falënderoi organizatorët për këtë festival të rëndësisë së veçantë jo vetëm për faktin që organizohet për herë të parë në një natyrë të këtillë, po edhe që ka përzgjedhur si tematikë të parë Kosovën. “Festivali është një shembull i veçantë që ofron mundësinë që nëpërmjet librit të nxitet avancimi i trungut tonë të përbashkët kulturor ndërmjet dy republikave tona”, tha zëvendësministri Hoti në fjalën e tij falënderuese.
“Veçmas ndjehem i lumtur që hapja e festivalit kishte ngjyrim me krijimet e poeteve ekskluzivisht nga Kosova”, tha Hoti.
Ndërkaq, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro – Furxhi, festivalin e vlerësoi si një hapësirë dhe atmosferë mikpritëse për njerëzit që duan librin, për ata që e shkruajnë dhe për ata që e lexojnë atë.
“Së pari ju falënderoj për praninë tuaj dhe ju uroj për vlerësimin e panairit! Ishte kënaqësi për ne që ju kishim në hapje të DitëNetëve”, i ka thënë ndër të tjera ministrja Kumbaro zëvendësministrit Hoti.
Festivali i cili organizohet nën vulën e Elona Agollit, bijës së poetit të shquar shqiptar, tashmë të ndjerë Dritëro Agollit, do të organizojë më shumë se 70 aktivitete që do të mbahen në Muze në Tiranë, në Akademinë e Arteve, në Lezhë e Fier. Përkthimet e mëdha, veprat e mëdha, letërsi artistike, shqipe dhe e huaj e mandej literaturë gjuhësore në një takim me Ledi Shamku-Shkrelin. Ajo çfarë synohet është një festë dite e nate, që nis nga libri, për t’u përbashkuar në zhanre të tjera arti.