236 nxënës të komunës së Vushtrrisë sot kanë marr shpërblim që ju ka mundësuar përmes Programit Nacional për Rininë. Secili nga këta nxënës që ishin fitues të garës Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë, kanë marr nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh.
Librat i shpërndau Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti. Ai gjatë ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve u tha nxënësve se përmes leximit ata do të jenë të barabartë me fëmijët tjerë në botë.
“Nxënës të dashur, ju përmes librave keni mundësi t’i thoni vetes dhe të dëshmoni në jetë se leximi është mjeti, arma, zemra, shpirti është fuqia, është vlera, është magjia që ju mund ta keni për t’i realizuar në jetë të gjitha qëllimet që i keni. Përmes leximit ju e keni shansin e jetës të jeni të barabartë me të gjithë nxënësit e botës kudo që ata janë. Përmes leximit ju nuk bëheni pjesë e asnjë dështimi sepse përmes leximit ju arrini të zgjidhni probleme të jashtëzakonshme. Ne në Kosovë nuk kemi asgjë më të çmueshme sesa arsimi e arsimi jeni ju, arsimi është dielli e dielli është i madh dhe ai nuk len afër vetës gjëra të vogla, nuk bënë kompromise sepse dielli jep dritë, jep jetë dhe s’ka kohë të merret me gjëra të vogla. Por dielli ka një zemër të madhe sepse u jep mundësi edhe gjërave të vogla të bëjnë zhvillimet e tyre dhe kjo është edhe madhështia e tij”, tha Hoti.
Ndërsa, Drejtori Komunal i Arsimit, Afrim Namani, foli për rëndësinë e Programit Nacional për Rininë dhe tha se është i kënaqur me rezultatet e nxënësve të komunës së tij. Ai tha se garat që zhvillohen në kuadër të këtij programi duhet të vazhdohen sepse prej tyre po përfitojnë nxënësit.
“Sot kemi nderin që ta finalizojmë një projekt nacional për rininë, ekskluzivisht për nxënësit. Në këtë projekt kanë qenë të ndërthurua gara e diturisë gara në sportit, gara në kreativitet kulturor dhe mendim kritik. Përveç qëllimit të gjithëpërfshirjes, përveç qëllimit që secilit nxënës t’i jepet e drejta të garojë, secila garë në nivelet përkatëse në vete kishte edhe diçka tjetër, ishte në radhë të parë inkurajuese për secilin nxënës që dijet t’i thellojnë dhe të mundësojnë kalimin nga një mësimnxënie në një përvojë praktike. Uroj që këso projekte të zhvillohen edhe më tej. Ne si komunë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të ofrojmë të gjithë potencialin tonë në mënyrë që ju të merrni përvoja të reja në mënyrë që ju t’i thelloni dijet e juaja dhe vërtetë të mësoni të punoni në ekip në qëllimin primar që është edukimi dhe arsimimi juaj”, tha Namani.
Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë institucional, drejtor shkollash, mësimdhënës, nxënës e prindër. Nxënësit u shprehën të kënaqur me shpërblimin e librave dhe thanë që mezi presin t’i lexojnë.