Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës z.Rexhep Hoti gjatë një vizite zyrtare në Komunën e Skenderajt, nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi për realizimin e Programit Nacional për Rininë, me Kryetari e kësaj komune z. Bekim Jashari.
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport z. Rexhep Hoti pasi prezantoi Programin Nacional për Rininë, tha se është për tu vlerësuar mbështetja që Kryetari Jashari po i ofron Programit Nacional për Rininë sepse sipas tij, investimi në rini është nevojë bazike.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës të nivelit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. Në kuadër të këtij programi do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport. Dua të rikujtoj se arsimi ka qenë në shërbim të atdheut edhe gjatë kohërave të vështira. Unë sot e falënderoj shumë kryetarin Jashari për mbështetjen e ofruar për implementimin e Programit Nacional për Rininë edhe në komunën e Skenderajt”, tha Koordinatori Hoti.
Programi Nacional për Rininë u mirëprit nga, Kryetari i Komunës së Skenderajt z. Bekim Jashari, i cili tha se e mirëpret këtë program dhe pret që të realizohet.
“E mirëpres Programin Nacional për Rininë dhe uroj që të implementimet në mënyrën më të mirë në të mirë të të rinjve”, tha ndër të tjera Kryetari Jashari.
Koordinatori Hoti në këtë takim ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Azem Guri i cili tha se me këtë program do të përmirësohen rezultatet e vlerësimeve të jashtme dhe se pret që të ndikojë edhe në avancimet e rezultateve të Testit Pisa.
Kjo marrëveshje përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me diturinë, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, si dhe sportin.