Gjatë një vizite zyrtare në Luginë të Preshevës, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, nënshkroi Marrëveshje Bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin.
Koordinatori Hoti pasi prezantoi Programin Nacional për Rininë, e falënderoi Kryetarin Arifi për gatishmërinë për bashkëpunim dhe tha se ky program mundëson pjesëmarrjen në garë të gjithë nxënësve të Luginës së Preshevës njësoj si edhe nxënësve të Kosovë.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar për secilin nxënës të secilës shkollës, duke filluar nga niveli fillor, i mesëm i ulët dhe niveli i mesëm i lartë. Ai është i dizajnuar të realizohet në formë të garës në tri shtylla: kreativitet kulturor dhe mendim kritik, dituri dhe sport. Këto gara do të zhvillohen në tri nivele: në nivel shkolle, komune dhe republike. Bashkëpunimi me Komunën e Preshevës është i rëndësishëm sepse përmes Programit Nacional për Rininë, nxënësve të Luginës, u mundësohet të garojnë së bashku me nxënësit e Republikës së Kosovës në nivelin republikan ku pa dyshim se do të shpërblehen”, tha Hoti.
Nga ana tjetër, Kryetari Arifi tha se e mirëpret këtë program dhe se një program i tillë është në të mirë të rinjëve të Luginës së Preshevës dhe të gjithë të rinjëve shqiptar.
“Unë jam i njoftuar me këtë program dhe te ne është i mirëseardhur. Unë tash pas nënshkrimit të marrëveshjes do t’i ftoj drejtorët e shkollave këtu dhe do t’i njoftoj për programin. Ne do të zgjedhim një person në rolin e koordinatorit të programit për shkollat e Preshevës dhe do ta mbështesim me të gjitha mundësitë tona. Që nga tani ju uroj suksese nxënësve”, tha Kryetari Arifi.
Koodinatori Hoti në takim u shoqërua nga i ngarkuari me punë në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Xhelal Shaqiri.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është asistimi i ndërsjellë për implementimin e Programit Nacional për Rininë si dhe aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportit.