Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, sot ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Unionin Evropian të Shahut dhe Federatën e Shahut të Kosovës.
Hoti e njoftoi Presidentin e Unionit Evropian të Shahut, Zurab Azmaiparshvili, me Programin Nacional për Rininë, duke thënë se shahu është pjesë e këtij programi.
“Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e parë të nivelit ndërkombëtarë me Unionin Ndërkombëtar të shahut. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në zbatimin e programit tonë ku rëndësi e veçantë i kushtohet shahut. Nga shtatori i këtij viti, të gjithë nxënësve do t’u ofrohet mundësia të luajnë e garojnë në shkolla dhe Kosova nuk do të ketë vetëm disa shahistë, por do të ketë shahistë të shumtë që do të na përfaqësojnë nëpër gjithë botën”, tha Hoti.
E Presidenti i Unionit Evropian të Shahut, Zurab Azmaiparshvili, tha se është i fasionuar me programin e Hotit për shahun dhe sportin në përgjithësi. “Jam i fasionuar me këto informata kaq të detajuara dhe për një program me këtë gjithëpërfshirje në shumë fusha. Unë po shoh entuziazëm të madh dhe përkushtimin tuaj. Kjo më gëzon shumë sepse aty ku ka entuziazëm sikur i juaji, ka punë të madhe dhe arritje të larta. Me këtë marrëveshje për shahun ne nuk po zhvillojmë vetëm shahun, por po zhvillojmë dhe ndihmojmë një gjeneratë të tërë”, tha Azmaiparshvili.
E, Nysret Avdiu, kryetar i Federatës së Shahut në Kosovë, tha se pret shumë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje e shumë. “Në emër të federatës dëshiroj t’ju them që ky është momenti më i rëndësishëm për federatën. Me këtë nënshkrim mendoj që është cak i një kryesie dhe besoj që nëpërmjet kësaj marrëveshje do të implementohen edhe bashkëpunime të tjera dhe të fuqishme”, tha Avdiu.
Në takim mori pjesë edhe Erald Dervishi, zëvendëspresident i Federatës së Shahut të Shqipërisë, i cili tha se Kosova është nga vendet e pakta që ka një program kaq gjithëpërfshirës sikur Programi Nacional për Rininë.
Marrëveshja tripalëshe e nënshkruar sot parasheh angazhimin e ndërsjellë për të zhvilluar sportin e shahut në Kosovë për nxënës e studentë.