Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se njohja nga Izraeli do të ndikojë në forcimin e subjektivitetit juridik ndërkombëtar të Kosovës.
Ai në Express Intervista të KTV-së ka thënë se falë kësaj, Kosova ka fituar vëmendjen ndërkombëtare, pasi sipas tij, lobi i Izraelit është shumë i fuqishëm.
Por shton se vendosja e ambasadës në Jerusalem mund të ketë shumë kontradikta.
“Kjo është me vetë formalizmin e kryeqytetit të Izraelit, që është çështje e vendosjes së autoriteteve sovrane, ata kanë marrë vendim që ta shpallin kryeqytet të tyre edhe pse kjo bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Nga konteksti i Kosovës mund të shihet me natyrë pozitive sepse neve nuk na takon të involvohemi në çështje të brendshme aq sa është e rëndësishme që Kosova po merr njohje nga një shtet aq i rëndësishëm”, ka thënë ai.
Sipas tij, çështja e marrjes së vendimit për njohje balancohet me aspektin e të mirave dhe gjërave negative që mund të vijnë.
Ai ka thënë se sikur të ishin rrethana pozitive dhe Kosova të mos kishte nevojë për njohje nga Izraeli atëherë do të ishte e pakuptimtë që të merreshin kushtëzime të tilla.
Sipas tij, do të duhej të kishin mirëkuptim shtetet tjera.
“Do të kemi efekte negative por edhe reagime nga shtetet arabe, sepse disa nga to kanë qenë mike tradicionale ndaj Serbisë. Mbi këtë bazë është vendim i duhur sidomos kur ajo mbështetet nga SHBA-ja. Lëvizjes dhe ndryshimet e pushteteve në Izrael e SHBA janë të zakonshme, por ne duhet të jemi të gatshëm për këto ndryshime. Shtetet e vogla siç është Kosova, nuk e kanë komoditetin e zgjedhjes së pushteteve në shtetet sovrane”, ka thënë ai.
Hoti tutje ka thënë se SHBA-ja nuk do të lejojë që të bëhen manipulime, apo të shmanget Serbia nga obligimet që ka marrë ndaj SHBA-së.
“Autoritetet tona kanë qenë në dijeni për njohjen nga Izraeli. Zhvendosja e ambasadës është politike apo mund të qojë në situatë ku janë të fituar të gjithë. Në radhë të parë fiton Donald Trump, pastaj Izraeli fiton sepse një shtet mysliman dërgon ambasadë, porse fiton edhe Kosova”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse ndiqet praktika e deritashme e diplomacisë kosovare, do të dështohet në këto pika.
Ai thotë se ka pasur argumente shumë të rëndësishme për t’i prezantuar te komuniteti ndërkombëtarë dhe të konvertohen në fitore, porse ato nuk janë bërë.
Hoti thotë se me BE-në Kosova ka raporte të brishta, për shkak se vendi mbetet ende rast i veçantë.
Por sipas tij, është interes strategjik i vendit që të mbajë marrëdhënie të mira me vendet e BE-së.
“Kosova duhet të marrë mbi vete edhe rrezik sepse edhe BE-ja dhe vendet arabe kanë stagnuar në njohje ndaj Kosovës. Ne nuk duhet në asnjë moment të rrezikojmë marrëdhëniet me SHBA , por nuk do të thotë që të pranojmë gjithçka që na ofrohet”, ka thënë ai.
Ai thotë se nëse ka qenë në agjendë pika për njohje të ndërsjellë dhe Serbia ka pasur mundësi ta heqë nga lista, atëherë edhe Kosova ka mundur ta heqë pikën për Ujmanin.
Por, Hoti shton se Kosova nuk e ka shfrytëzuar hapësirën, duke shtuar se kanë pasur mundësi që të ktheheshin me sukses më të madh.
“Në aspektin politik ka fitore, së pari është njohja nga Izraeli. Përtej saj Kosova ka përfituar në marrjen e vëmendjes ndërkombëtare pasi lobi i Izraelit është shumë i fuqishëm. Mbi këtë bazë një qëndrim zyrtar i autoriteteve izraelite për të njohur Kosovën do të ndikojë në forcimin subjektivitetit juridik ndërkombëtarë. Në kuptimin ekonomik mund të përfitojmë gjithashtu”, ka thënë ai.
Ai thotë se elementet negative mund të vinë nga bota myslimane.
Sipas tij, nuk do të prishën marrëdhëniet me Turqinë.
“Njohja nga Izraeli do të bëhej edhe më e fuqishme nëse bëhet njohja e ndërsjellët me Serbinë.