Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka vizituar sot Panairin “Gratë në Biznes”, që po mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të parë nga afër punën dhe prodhimet që po bëjnë bizneset familjare. Ai po ashtu, u njoftua rreth problemeve, kërkesave që ato hasin gjatë aktivitetit të tyre.
Ministri Hoti gjatë vizitës në panair në një prononcim për Ekonomia Online theksoi se po bëhet një vit prej se i ndërruan tri ligje bazike të pakos fiskale dhe ka shprehur besimin se kjo ka ndikuar në masë të madhe në ulje të kostos së prodhimeve.
“Përveç këtyre politikave, ne i kemi kombinuar ato me masa tjera dhe lehtësime të tregtisë dhe të prodhimeve, dhe mbështetjen përmes granteve, ngritjen e cilësisë dhe trajnimeve të ndryshme, sidomos tek prodhuesit e vendit që janë në këtë panair”, ka theksuar Hoti.
Ai më tej shtoi se e ka vizituar Panairin e Grave për të parë punën që po bëjnë bizneset familjare.
“Ne vizituam këtë panair për të parë punën shumë të mirë që po bëjnë bizneset kryesisht familjare por e shoh edhe numrin e njerëzve që janë të involvuar nuk janë për t’u neglizhuar. Ka biznese që i kanë 30, 40, 50, 70 punëtorë të shpërndarë nëpër familje. Në njëfarë forme kemi të ardhura nëpër familje për Prishtinë dhe gjithandej në Kosovë”, ka thënë Hoti.
Në këtë panair i cili është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në bashkëpunim me OJQ “Gratë në Biznes”, po marrin pjesë rreth 60 biznese e OJQ që udhëhiqen nga femrat të cilat njëherësh po i promovojnë dhe po i shesin produktet e tyre artizanale, të tekstilit, të bujqësisë e të ushqimit tradicional.