Hoti për Trustin: Nuk është zgjidhja e duhur, por është zgjidhja e vetme

Prishtinë | 07 Dhj 2022 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje që deputetët ta votojnë projektligjin për tërheqjen e 30 përqind të mjeteve nga Trusti, pas kalimit të sotëm në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Hoti tha se Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare.

Megjithatë, ai tha se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës, por se është e vetmja rrugëdalje.

“Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria. Masat e ndërmarra kanë qenë të kufizuara kryesisht në skemat sociale dhe pensionale”, ka shkruar Hoti në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Hoti tha se siç kanë propozuar më herët, Qeveria ka pasur dy mundësi në dispozicion për tu dalë në ndihmë qytetarëve:  “(1) rritjes së pagave së paku sa është norma e inflacionit dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat ose (2) uljes së TVSH-së nga 18% në 8% dhe heqjes së përkohshme të akcizës”.

“Në vend që mjetet buxhetore të shpenzohen duke i rritur pagat dhe duke i realizuar projektet kapitale, sot në buxhetin e shtetit janë grumbulluar rreth 700 milionë euro që po i zhvlerëson inflacioni.  Këta qeveritarë as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e buxhetit në rritje të pagave e në projekte kaptiale, e as nuk i ulin tatimet dhe akcizat për t’ua lënë në dispozicion qytetarëve ato mjete. Përderisa nuk i përfillen propozimet tona si opozitë për ndihmë ndaj qytetarëve, në seancë plenare projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit Pensional duhet të votohet”, shkroi ish-kryeministri.

Të ngjashme