Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media ka folur rreth çështjes së presidentit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme, raporton Ekonomia Online.
I pyetur se a do të bashkëpunojë me PDK’në për zgjedhjen e presidentit të vendit, nëse Thaçi jep dorëheqje, Hoti tha se në çfarëdo situate, duhet të veprohet me dinjitet.
“Besoj se pas gjithë këtyre viteve kemi krijuar një kulturë dhe maturi institucionale. Me secilat situata që përballemi, do të reagojmë me dinjitet, karshi zhvillimeve që do të ndodhin”, ka thënë Hoti.
E për kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme, Hoti tha se Kosova ka qeveri funksionale, raporton EO.
“Sa i përket zgjedhjeve, Kosova ka qeveri funksionale e cila e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe si e tillë duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Hoti.
Këto deklarata, Hoti i bëri pas takimit të Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës Emergjente me koronavirus, ndërsa theksoi se situata me pandeminë është prioritet i kësaj qeverie.