Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, me bashkëpunëtorë gjatë të cilit takim ka theksuar se Qeveria është e vendosur që t’u gjendet pranë bizneseve dhe prodhuesve të vendit, duke u krijuar atyre lehtësi administrative, ulje taksash, subvencione e grante në mënyrë që prodhuesit ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas komunikatës për medie, në këtë takim thuhet se u bisedua për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend, sidomos për pasojat që po i ndien sektori privat, për shkak të pandemisë Covid 19.
Hoti gjatë takimit theksoi se, krahas menaxhimit të pandemisë Covid 19, Qeveria e Kosovës e ka prioritet kryesor pakon e rimëkëmbjes ekonomike të vendit, për realizimin e së cilës AKB-në, odat ekonomike dhe shoqatat e tjera të bizneseve i sheh si partnerë të rëndësishëm.
Kryeministri gjithashtu ka theksuar se Qeveria është e vendosur që t’u gjendet pranë bizneseve dhe prodhuesve të vendit, duke u krijuar atyre lehtësi administrative, ulje taksash, subvencione e grante në mënyrë që prodhuesit ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryetari AKB-së, Agim Shahini e njoftoi kryeministrin Hoti për vështirësitë e shumta me të cilat po ballafaqohen bizneset në vend gjatë gjithë kohës së pandemisë COVID-19. Së këndejmi, ai kërkoi që Qeveria e Kosovës t’i vazhdojë hapat lehtësues për bizneset private, të cilat, siç pohoi ai, në këtë situatë vërtet kanë probleme serioze, ndaj u nevojitet ndihma dhe kujdesi i shtetit.