Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka hedhur kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, për barrikadat në veri.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka thënë se barrikadat i largojnë të huajt, ndërsa Qeveria mban konferenca në Prishtinë e fjalime para FSK-së.
“Shani edhe gjyqësorin e prokurorinë sa të mundeni, shpallini tradhtarë. Por të arrestuarit nuk ishit në gjendje t’i ofronit ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ta sillnit në objektin e paraburgimit. Ju nuk jeni për asgjë. Ju nuk dini të mbani shtet. Ju dini vetëm të shani”, ka shkruar Hoti.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, ka folur pas ndryshimit të masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak, të ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Kurti ka thënë se ka qenë i informuar se i njëjti ka qenë në grevë urie derisa ishte në paraburgim dhe se kishte probleme me zemër.
“Unë nuk e di këtë çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahej në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit. Ai ka statusin e të paraburgosurit dhe pa statusin e të pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë unë kam dëgjuar është se meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do të mund të dërgohej në spital e që është e kuptueshme e sa është e arsyeshme e vendos gjyqësori”, ka thënë Kurti.