Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria Kurti ka dështuar në menaxhimin e buxhetit në kohën e krizës ekonomike.
Ai tha se sipas raportit të buxhetit për periudhën janar – shtator 2022, janë realizuar vetëm 21 për qind e investimeve kapitale apo 158 milionë nga 764 milionë të planifikuara.
“Kjo po na kushton shtrenjtë. Për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve kapitale, sot ekonomisë i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim”.
“Ka ministri, siç është Ministria e Industrisë, me vetëm 5% realizim të shpenzimeve kapitale, apo Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave me 6%, Ministria e Ekonomisë me 13%, Ministria e Mbrojtjes me 15% etj”, shkroi Hoti.
Tutje, ai tha se paratë në llogarinë e qeverisë kanë arritur në 678 milionë euro, që sipas tij, është dyfishi më shumë sesa që është e nevojshme.
“Rrjedhimisht, mund të ishte pezulluar akciza në naftë, si dhe përgjysmuar TVSH-ja në naftë dhe në mallra ushqimore, pa shkaktuar asnjë vështirësi buxhetore për Qeverinë”.
“Sikur të mos mblidheshin këto mjete vetëm sa për t’i mbajtur në llogari, sot ekonomia do të kishte edhe 300 mil euro në qarkullim. Këto mjetet tanimë janë zhvlerësuar nga infalcioni për rreth 20%, që është rreth 136 mil euro”, shkroi Hoti, transmeton Klankosova.tv.
Ish i pari i qeverisë tha për Qeverinë Kurti se “këta as nuk i shpenzojnë mjetet e mbledhura për projekte, e as nuk ua lënë qytetarëve”.
“Pasojat po i bartim të gjithë. Sot në ekonomi ka rreth 500 milionë euro më pak për shkak të paditurisë”, shkroi ai.