Vendimi i ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, për shkarkimin e 14 konsujve, po shihet si vendim i duhur nga njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti.
Hoti në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kryediplomati kosovar nuk duhet të veprojë si paraardhësit e tij, por përfaqësuesit e rinj të emërohen me meritokraci.
“Gjithsesi se vendimet e ministrit janë vendime politike, sido që të jetë unë mendoj se duhet të duartrokitet si vendim por duartrokitjet nuk duhen të jenë të gjata për faktin se ky vendim duhet të përcillet edhe me një sërë vendimesh të tjera”.
“E para është me vazhdimin e procesit të reformës së shërbimit tonë të jashtëm sepse shërbimi jonë i jashtëm në secilën periudhë të qeverisë është ngarkuar me militantë partiakë, këtu ekskluzivisht të gjitha partitë politike pos VV-së, të tjerat nuk reflektojnë meritokracinë dhe një shërbim të jashtëm meritor por reflektojnë lidhje dhe qëndrime të personaliteteve të cilat kanë qenë afër liderëve politik dhe që fatkeqësisht e kanë sjellë shërbimin tonë në këtë situatë. Dhe e dyta është se pas largimit të tyre, të shohim se kush do të vij sepse po flasim për reformë që vërtetë i duhet vendit për shërbime të jashtme apo flasim për ç’kapje apo heqje të një grupi të caktuar politik dhe instalimin e grupit tjetër”, ka thënë Hoti
“Vendit i duhet një strategji e qartë lobimit, por kjo strategji nuk mund të jetë funksionale nëse nuk kemi sistem të konsoliduar brenda për brenda vendit dhe në momentin kur kemi qartësuar sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe kemi caktuar mënyrë të qartë objektivat e ecjes përpara atëherë duhet që diplomacia jonë duhet të drejtohen në dy objektiva”.
Teksa flet për njohje të reja, Hoti u shpreh se nevojitet konsolidim ndërmjet institucioneve kosovare, përfshirë këtu sipas edhe shërbimin tonë të jashtëm.
“Unë mendoj që këtu flasim për një argument shumë të fuqishëm që rivaliteti në Kosovë është shumë prezent dhe fatkeqësisht kjo gjë pothuajse e ka shpërqendruar gjithë vëmendjen nga ajo se çfarë është e nevojshme, pra një komunikim të konsoliduar ndërmjet institucioneve të Kosovës, përfshirë këtu edhe shërbimin tonë të jashtëm sepse kur dalim me informacione që një shtet ka njohur shtetin tjetër, atëherë ne duhet ta kemi një dokument zyrtarë, qoftë ajo si notë verbale ose komunikim inpersona, kur kemi pra njohje jo përmes notes verbale, por për një lloj note tjetër por si do që të jetë në variantin tjetër, ne duhet t’i referohemi fakteve”.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, kërkon q; shteti i Kosovës i kujdesshëm karshi komunikimit juridik dhe politik ndërkombëtarë.
Sepse siç thotë Hoti, atje nuk flitet për individ por për shtetin e Kosovës.
“Ky trend siç duket është minimizuar për shkak të procese shumë të ndjeshme të cilat po kalon vendi dhe se si rrjedhojë ka sjell një lloj bajraktarizmi mes institucioneve, në kuptimin se kush po punon për vendin dhe kush është i pari që jep lajmin e mirë që një vend e paska njohur Kosovën. Mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në veçanti kur flasim për komunikimin juridik dhe politik ndërkombëtarë, sepse atje nuk flasin për individ po flasin për shtetin dhe nëse gjendemi në situata të tilla, atëherë normalisht se rrezikojmë që veprimet e tilla të na kthehen bumerang”, ka thënë Hoti.
Për të shfrytëzuar sa më mirë kanalet diplomatike, Hoti ka kërkuar që kjo gjë të bëhet përmes shteteve mike që i ka Kosova, siç është rasti i Francës e Britanisë së Madhe.
Këto dy shtete, pasi që kanë ndikim në shtete e Afrikës, atëherë kjo të bëhet me ndërmjetësimin e tyre për njohje të reja nga Afrika.
“E para, konsolidimin e brendshëm në kuptimin e funksionimi të përhershëm bashkë me Shqipërinë, jo tashmë si një shtet i përbashkët por si dy shtete dhe e dyta shërbimi jonë i jashtëm duhet të mbajë kontakte të ngushta me fuqitë të mëdha, me vendet partnere për ta përçuar zërin e Kosovës aty ku Kosova nuk mundet”.
“Shembull, Franca dhe Britania e Madhe kanë kontakte dhe ndikim në shtete e Afrikës, atëherë unë mendoj se duhen të shfrytëzohet këto kanale diplomatike për të kërkuar sa më shumë njohje dhe të mbërrijë zëri i Kosovës aty ku ne nuk mundemi. Fatkeqësisht këto deri më tani nuk kanë ndodhur dhe si rrjedhojë normalisht se kemi pasur mungesë dhe bllokim të tërësishëm të procesit të njohjeve”, ka thënë Hoti.