Hoti: Shtatë pacientë në gjendje më të rënduar, infermieret me Coronavirus në gjendje stabile

Prishtinë | 01 Pri 2020 | 14:25 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 43 pacientë të cilët janë të infektuar me Coronavirus. Prej këtyre pacientëve 7 pacientë janë në gjendje më të rënduar, ku një nga ta është në ventilim mekanik.

Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, Faik Hoti, zyrtar për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, sipas të cilit përveç këtyre, 36 pacientë të tjerë janë në gjendje stabile.

Hoti theksoi se deri më tani për fat të mirë 6 pacientë janë shëruar nga Coronavirusi.

“Deri më ditën e sotme kemi të testuar 1267 pacientë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Prej tyre 112 pacientë kanë rezultuar pozitiv, kemi një pacient që ka humbur jetën nga Covid-19 si dhe  kemi 6 pacientë të cilët tashmë mund të konsiderohen si të shëruar nga kjo sëmundje”.

“Sa i përket personave që janë duke marrë trajtim spitalor për Covid-19, sipas Klinikës Infektive, atje kemi të hospitalizuar 43 pacientë me këtë sëmundje, prej të cilëve 36 kanë gjendje stabile, ndërsa 7 pacientë të tjera kanë situatë më të rënduar, njëri prej tyre është në ventilim mekanik”, tregoi Hoti për EO.

Hoti tregoi edhe për gjendjen e tri infermiereve të Klinikës Infektive që kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus. Sipas tij, të tri infermieret janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

“Në bazë të informatave nga Klinika Infektive, tri infermiere janë të prekura nga Covid-19, dy prej tyre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe kanë gjendje shumë të mirë shëndetësore sikurse edhe e treta e cila është në vetizolim dhe në mbikëqyrje shtëpiake për shkak se edhe ajo ka gjendje të mirë shëndetësore”, tregoi Hoti.

Sipas Hotit, momentalisht situata me pandeminë Coronavirus është nën kontroll dhe se institucionet shëndetësore kanë një stabilitet sa  i përket furnizimit.

Hoti bëri të ditur se nga fondi 10 milionë euro që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për menaxhimin e situatës një pjesë e tyre është duke u shfrytëzuar për lidhje të kontratave të Ministrisë me operatorë të ndryshëm ekonomikë për furnizimin e institucioneve shëndetësore.

Ai thotë se blerjet më të nevojshme janë maskat, mbulesa për trup, syze, etj.

“Prej fondit prej 10 milionë euro janë ndarë 6.2 milionë euro dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre veç është duke shfrytëzohet për lidhje të kontratave të ministrisë me operatorë të ndryshëm ekonomikë për furnizimin e institucioneve shëndetësore. Blerjet që janë më të domosdoshme janë masat mbrojtëse si maskat, respirartorët ffp2, kemi pastaj mbulesa për trup, syze të ndryshme, maska të ndryshme, dorëza, materiale që e shmangin rrezikun  e kontaktit ndërmjet profesionistit shëndetësor dhe personave të dyshuar apo të konfirmuar me Covid”.

Sipas tij, këtyre ditëve Ministria është duke realizuar kontrata të reja, me procedura më të shpejtuara dhe  presin një stabilizim të furnizimeve në gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.

Ndonëse qysh në fillim të shfaqjes së pandemisë, si problem ishte përmendur mungesa e infektologëve, Hoti thotë se momentalisht ka profesionistë të mjaftueshëm ani pse nuk e dinë sa do të jetë shtrirja e pandemisë.

“Për momentin numri i infektologëve është duke ia dalë, ka profesionistë të mjaftueshme, mirëpo, askush nuk e di se cila do të jetë nesër shtrirja e pandemisë dhe nuk e dimë saktësisht  sa persona në të ardhmen mund të hospitalizohen. Për këtë arsye, ShKSUK-ja bashkë me Ministrinë e kanë shqyrtuar mundësinë që resurse humane nga klinika të tjera të mobilizohen dhe t’i dalin në ndihmë Infektivës”.

Për shkak të numrit të madh të të infektuarve në Prishtinë, është diskutuar edhe mundësia që kryeqyteti të hyjë në karantinë. Mirëpo, Hoti për këtë thotë se në një mënyrë i gjithë vendi është në karantinë

“Faktikisht në njëfarë forme krejt vendi është në karantinë siç janë shtetet tjera, ndërsa për masa specifike për komuna të tjera, këtë e bën qeveria e Kosovës duke marrë parasysh rekomandimet që japin institucionet kompetente”.

“Prishtina ka një numër të konsideruar të rasteve, është kryeqyteti i Kosovës ka më shumë dinamikë, më shumë institucionet administrative, mirëpo e rëndësishme është  që IKShP-ja i ka gjurmuar rastet  e kontakteve ka informacione të plota për rastet të cilat kanë qenë  në kontakt me personat që kanë rezultuar pozitiv dhe është aplikuar në shumicën e atyre që kanë shenja të lehta, masa e izolimit shtëpiak”.

“Për vendosjen e masave të karantinës për lagje të caktuara, lokacione të caktuara apo komuna të caktuara vendos Qeveria e Kosovës duke  u bazuar në raportimet mjekësore dhe duke marrë sugjerime edhe nga institucionet e sigurisë”, theksoi Hoti.

Ndryshe Hoti, bëri njëherë apel për gjithë qytetarët që të respektojnë masat e qeverisë, mos t’i keqpërdorin këto masa, mos të ketë lëvizje të personave në grup pasi në këtë mënyrë ndihmohet përhapja e virusit, raporton EO.

“Sa më shumë njerëz në rrugë, aq më shumë njerëz do të ketë në spitalet tona”, u shpreh Hoti.

Të ngjashme