Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, është takuar sot me Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad.
Koordinatori Hoti prezantoi para ambasadorit Sjaastad Programin Nacional për Rininë të hartuar nga KNKRS. Ky program i cili përfshinë garën në fushën e dijes, kreatitivitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe fushën e sportit, i bëri shumë përshtypje ambasadorit norvegjez Sjaastad, i cili kërkoi nga Koordinatori Hoti që t’i shpjegojë në detaje për strukturën e programit.
Ambasadori Sjaastad u shpreh i kënaqur që një program i tillë për rininë do të implementohet së shpejti në Kosovë. Sidomos, mbresë të jashtëzakonshme nga programi i la çështja e barazisë gjinore si dhe përfshirja e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës.
“Ne jemi në kohën e mbështetjes së projekteve në shumë fusha, nga sundimi i ligjit e deri te barazia gjinore. Më lejoni të theksoj se do të shikojmë mundësitë e mbështetjes së këtij programi sidomos në aspektin e përfshirjes së komuniteteve dhe çështjes së barazisë gjinore”, tha ambasadori Sjaastad.