Hoti takon analistin amerikan: Në Kosovë nuk ka vend për një qeveri që sanksionohet nga aleatët

Prishtinë | 21 Qer 2023 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është takuar me ekspertin amerikan, Edward P. Joseph.

Hoti në këtë takim i ka thënë ish-zëvendësshefit të misionit të OSBE-së në Kosovë se “në Kosovë nuk ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euroatlantikë” ngase sipas tij, Kosova ka relacione ekzistenciale me perëndimin, e jo vetëm diplomatike.

“Takim dhe bisedë shumë miqësore dhe informuese me Edward P. Joseph nga SHBA, analist me përvojë të gjatë i politikës së jashtme dhe ekspert me përvojë për Ballkan. Perspektiva e tij për zhvillimet aktuale në rajon është interesante”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se Kosova gjithmonë ka zhvilluar dialog dhe është dakorduar me aleatët për hapat e nevojshëm, gjithmonë në funksion të integrimit euroatlantik.

Reklama

Sipas tij, Kosova ka bërë progres në të kaluarën, vetëm për shkak se ka bërë politikë të mençur e të koordinuar me aleatët.

Ndër të tjera, ai ka thënë se për dallim nga Serbia, Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit euroatlantik dhe as nuk dëshiron të ndjekë rrugë tjetër.

“Në Kosovë nuk ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euro-atlantik, ngase Kosova ka relacione ekzistenciale me perëndimin, e jo vetëm diplomatike”.

Ndryshe, si Bashkimi Evropian ashtu edhe SHBA kanë paralajmëruar masa ndaj Kosovës, nëse nuk ndërmerren hapa për de-eskalimin e situatës në veri.

Të ngjashme